Kryesore Përkeqësohet korrupsioni në Shqipëri

Përkeqësohet korrupsioni në Shqipëri

Foto ilustruese marrë nga Transparency International

Niveli i korrupsionit në Shqipëri është përkeqësuar. Sipas Transparency International vendi ka rënë me një pikë në krahasim me vitin 2020.

Nga 180 vende të studiuara, Shqipëria renditet e 110-ta.

Raporti zbuloi se 25% e atyre që kanë përdorur shërbimet publike në 12 muajt e fundit kanë dhënë ryshfet.

Krahasuar me 10 vjet më parë, Shqipëria ka shënuar një rritje me vetëm dy pikë. Lidija Prokic, këshilltare rajonale për Evropën Lindore dhe Juglindore thotë se nuk mund të jemi optimistë për situatën kur rritja është kaq ulët.

Sa i takon nivelit të demokracisë, Shqipëria rezulton me probleme. Sipas raportit gazetarët përballen me kërcënime, ndërsa liria për të protestuar shkelet nga dhuna e policisë.

Prokic, thotë se “janë vënë re disa reagime të gabuara nga forcat e rendit kur bëhet fjalë për protesta publike”. Sipas saj pandemia u përdor për të justifikuar mungesën e llogaridhënies dhe si rrjedhojë shtimin e korrupsionit.

“Ka pasur përpjekje për të miratuar ligje që frenojnë seriozisht lirinë e shprehjes. Dhe këto mund të mos duken direkt të lidhura me anti-korrupsionin, por në të vërtetë janë. Që mekanizmat kundër korrupsionit të funksionojnë mirë, që vendet të kenë sukses në luftën ndaj korrupsionit, ato kanë nevojë për media të lirë, kanë nevojë për shoqëri të lirë civile,” – deklaroi Prokic për VOA.

Grafik ilustrues për Shqipërinë marrë nga Transparency International

Po ta krahasojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është në të njëjtin nivel me Bosnje Hercegovinën.

Kosova ka pasur progres sa i takon luftës së korrupsionit. Në raport thuhet se vendi ka bërë hapa domethënës për zbatimin e ligjit. Maqedonia e Veriut renditet në po të njëjtin nivel. Vendi ka rritur ndëshkimin e zyrtarëve të lartë.

Mali i Zi renditet e 46-ti nga 180. Këtë vit vetëm tre vende janë renditur mbi mesataren globale, Gjeorgjia, Armenia dhe Mali i Zi.

Serbia është në vendin e 38. Në listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor renditet më lartë, por sidoqoftë në raport specifikohet se Serbia nuk konsiderohet më demokraci, duke qenë se ka ndikim të lartë te liria e medias.

Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re janë kampionët në luftën kundër korrupsionit sipas raportit të TI. Ato shënojnë 88 nga 100 pikë të mundshme. Ndërkohë gjendjen më të keqe të korrupsionit e kanë Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut.