Kosova Përleshjet në Zveçan, lëndohen 25 ushtarë të KFOR-it

Përleshjet në Zveçan, lëndohen 25 ushtarë të KFOR-it

Misioni i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur se janë rreth 25 të plagosur nga kontingjenti shumëkombësh gjatë ndalimit të demonstruesve protestues që ndodhi në komunën e Zveçanit.

Ndërsa ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani ka bërë të ditur se mes tyre janë 11 trupa italianë të NATO-s. Tajani, ka thënë se tre prej tyre janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetë.

“Dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtria italiane vazhdon të angazhohet për paqen”, shkroi Tajani.

Operatori i Radios Evropa e Lirë, ka fotografuar disa prej ushtarëve të plagosur. Në një nga foto shihet mbajtja me barelë e një ushtari të lënduar gjatë operacionit të ndërhyrjes ku u dëgjuan shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba.

Gjatë operacionit janë dëgjuar shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa në drejtim të ushtarëve janë hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotovi.

KFOR, ndërhyri për t’i shpërndarë protestuesit në Zveçan, pasi i paralajmëroi që të shpërndahen, por ata nuk u bindën. Protestuesit kanë gjuajtur me sende të forta dhe kokteje molotovi në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it. Gaz lotsjellës, flakë dhe shtëllunga tymi kanë përfshirë zonën, ndërkohë që dëgjoheshin edhe sirena dhe shpërthim.

Radio Evropa e Lirë raporton gjithashtu se Policia e Kosovës nuk ka qenë e pranishme në momentin e ndërhyrjes së KFOR-it për shpërndarjen e protestuesve serbë në Zveçan.