Sport Përmbysi i vetëm Sevillan, Messi: Ndeshjet sa vijnë e vështirësohen, në “Bernabeu”...

Përmbysi i vetëm Sevillan, Messi: Ndeshjet sa vijnë e vështirësohen, në “Bernabeu” për fitore

Lionel Messi konfirmoi për të disatën herë se është një protagonisti absolut i sukseseve të Barcelonës dhe padyshim nga futbollistët më të mirë në histori.

Argjentinasi dhuroi një tjetër 90-minutësh magjik në “Ramon Sanchez Pizjuan”, ku shënoi 3 herë dhe i dha Barcelonës fitoren 2-4 në transfertën përballë Sevillas.

Andaluzianët zhvilluan një pjesë të parë thuajse perfekte, pasi arritën të kalojnë dy herë në avantazh, por në të dy rastet hasën në kundërpërgjigjen e Messit, që riktheu baraspeshën me dy gola mjaft të bukur.

Kapiteni i katalanëve ishte vendimtar edhe në minutën e 85-të kur shënoi me mjaft elegancë golin e tretë personal dhe për Barcelonën, duke kaluar këta të fundit për herë të parë në avantazh.

Në minutat shtesë pati kohë edhe për një gol të Luis Suarez, që përveçse shënoi emrin në listën e golshënuesve, “vrau” edhe shpresën e vendasve për të barazuar.

Me këtë fitore, Barcelona çon përkohësisht në 10 pikë diferencën nga ndjekësja më e afërt në kampionat, Atleticoja e Madridit.

Pas sfidës, ai ka folur për shtypin spanjoll.

“Edhe sikur të mos kishim fituar nuk do të ishte vendimtare, por ishte e rëndësishme të merrnim tre pikët dhe të vazhdonim të distancoheshim nga rivalët.

Fitorja sa vjen e vështirësohet. Jemi të lumtur që largohemi me këtë rezultat të madh.

Ecuria e keqe? Nuk mund të luajmë gjithmonë në të njëjtin nivel. Nuk po luanim futboll të bukur, por sot kemi bërë shumë mirë duke përmbysur.

Kur ndeshja bëhet e rrjedhshme, atëherë vijnë edhe golat. Të gjithë kompeticionet po i marrim seriozisht.

Është shumë e vështirë të luash ndaj Real Madridid në Bernabeu, por do të shkojmë për të fituar, siç bëjmë kudo që shkojmë”, e mbyll Messi duke folur për ndeshjen e kthimit ndaj Real Madrid në Copa del Rey.