Kryesore Përplasja me armë në Mamurras, Policia: Efektivi plagosi dy kolegët dhe qytetarin

Përplasja me armë në Mamurras, Policia: Efektivi plagosi dy kolegët dhe qytetarin

Dy efektivë të policisë dhe një qytetar kanë mbetur të plagosur mesditën e sotme në Mamurras. Policia në një njoftim për mediat ka sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje.

Sipas autoriteteve ngjarja ka ndodhur “rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet“.

Më tej sqarohet se një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar. “Për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I. Z. dhe F. LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N. V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën“, sqaron Policia e Kurbinit.

Për të hetuar këtë ngjarje është ngritur “menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje“.

Efektivët e plagosur janë Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj, ndërsa qytetari është identifikuar si Nikoll Vorfi. Ata janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.