Aktualitet Përplasja me banorët te “Petro Nini”, Lleshaj kritikon policinë; Rama: E trishtueshme!

Përplasja me banorët te “Petro Nini”, Lleshaj kritikon policinë; Rama: E trishtueshme!

Paraditen e sotme në rrugën përballë shkollës “Petro Nini Luarasi” është regjistruar një incident, ku disa familje, të cilave përmbarimi do t’u shembë banesat, janë përplasur me Policinë e Shtetit.

Banorët e revoltuar janë shtrirë në rrugë, duke bllokuar edhe qarkullimin, ndërsa nuk kanë munguar shoqërimet nga policia, e cila ka tentuar të ç’tensionojë situatën, por në fakt e ka acaruar më tepër.

Për këtë ngjarje kanë ardhur dy reagime të menjëhershme nga qeveria.

I pari që shkroi në Tëitter ishte ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Çuditërisht, Lleshaj ka kritikuar sjelljen e efektivëve që ndërhynë në këtë situatë të tensionuar.

“Mirëkuptim të plotë për reagimet ndaj pranisë së Policisë Shtetit në ekzekutimin e një veprimi përmbarimor, mbi një vendim gjykate të formës së prerë. PSH ka detyrimin ligjor të mbështesë përmbarimin, por ka dhe detyrimin të jetë dinjitoze dhe efikase. Kjo s’ka ndodhur në këtë rast!”, shkruan Lleshaj.

Pas ministrit të Brendshëm, në Twitter reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili i cilësoi të trishtueshme pamjet e regjistruar sot.

“Të trishtueshme pamjet nga rruga e shtëpisë ku kërkohet ekzekutimi i një vendimi gjyqi të formës së prerë”, shkruan Rama.

Por, shefi të qeverisë ka edhe një vëretje për mediat, pasi i ka cilësuar sërish kazan, sepse këto të fundit nuk kanë sqaruar publikun për faktin se për banesat para “Petro Ninit” kemi të bëjmë me vendim gjykate dhe jo qeverie.

“Por e trishtueshme edhe se si Kazani i përzien gjërat pa lidhje! Qeveria s’ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave dhe policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit”, shprehet Rama.