Aktualitet Përplasja tek Astiri, reagon policia: 5 efektivë dhe 7 banorë të plagosur

Përplasja tek Astiri, reagon policia: 5 efektivë dhe 7 banorë të plagosur

Policia e Tiranës njofton zyrtarisht se janë plagosur 5 efektivë të FNSH-së, forcave ‘Shqiponja’ dhe të patrullës së përgjithshme, si dhe 7 banorë nga përleshjes mes dy palëve në zonën e “Astirit”.

Sipas policisë, protestuesit hodhën gurë, bomba molotov dhe sende të forta në drejtim të forcave policore. Ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me gaz lotësjellës. Të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka shkuar prej orës 05:00 në zonën e ‘Astirit’ në mbështetje të aksionit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për shembjen e banesave që preken nga projekti i rrugës së Unazës së Madhe.

Ndërkohë, qarkullimi në Unazën e Re është tërësisht i bllokuar nga të dyja anët.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Gjatë aksionit të nisur mëngjesin e sotëm nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për prishjen e 33 objekteve në zonën e “Astirit”, për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë.

Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba molotov punonjësit e Policisë, të cilit ishin planizuar me shërbim.

Si pasojë e sulmit mbi Policinë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak.

Gjithashtu edhe 7 banorë janë lënduar e po marrin ndihmë mjekësore jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shtetit u bën thirrje banorëve të distancohen nga dhuna dhe të mos bien pre e provokimeve, pasi do përballen me pasojat ligjore.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që janë prezent tek Unaza e Re, të mos nxisin banorët për të sulmuar forcat e Policisë dhe të shmangin deklaratat disinformuese.

Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar përkohësisht lëvizjen në të dy krahët e Unazës së Re, deri në përfundim të aksionit të IKMT-së për shembjen e disa objekteve, që do t’i hapin rrugë projektit të ri.