Sport Përralla e notarit Tom Dean, mposhti dy herë Covid dhe fiton medaljen...

Përralla e notarit Tom Dean, mposhti dy herë Covid dhe fiton medaljen e artë

Edhe pse publiku nuk është i lejuar, Lojërat në Tokio janë cilësuar si triumfi i jetës mbi vuajtjet e shkaktuara nga pandemia. Në këtë këndvështrim, një prej personazheve më interesantë është padyshim Tom Dean.

Për të marrë pjesë në Olimpiadë, notari britanik mposhti dy herë koronavirusin. Edhe pse gjatë këtyre javëve prezenca e tij në ngjarjen më të madhe sportive ishte në dyshim, Dean arriti të fitonte medaljen e artë në garën e 200 metrave stil i lirë.

“Është arritja më e madhe në jetë. Fitimi i medaljes së artë olimpike është një ëndërr që kthehet në realitet”, tha britaniku.

Historia është nga ato të pabesueshmet. Në janar, vetëm tre muaj përpara garave kombëtare, Tom Dean ishte i izoluar në shtëpi. Bëhej fjalë për infektimin e dytë me Covid në harkun e katër muajve. Por, ndryshe nga hera e parë, vuante të gjitha simptomat. Për t’u rikthyer në pishina iu nevojitën 7-8 javë kohë për rikuperimin, ndërsa Tokyo dukej thuajse e paarritshme.

Sportisti 21-vjeçar nuk ishte asnjëherë në rrezik për jetën, por një sëmundje e tillë e ndikon shumë karrierën e një sportisti. Me mbështetjen e trajnerit dhe të ekipit, Dean nuk u dorëzua asnjëherë. Ai triumfoi në Lojërat Olimpike, edhe pse favorit ishte shoku i skuadrës Duncan Scott, i cili fitoi argjendin. Dy medalje për britanikët, të cilët i dhanë fund pritjes nga viti1908 për këtë rezultat fenomenal.