Aktualitet Përse e morëm tani vaksinën kineze?

Përse e morëm tani vaksinën kineze?

Kryeministri Edi Rama foli mbrëmë në “Opinion”, edhe për marrjen e vaksinave kineze. Kryeministri u shpreh se as vaksinat kineze dhe as ato ruse nuk kanë qenë në pazar që mund të shkoje t’i merrje. Ai tha se qeveria ka pasur në vijimësi kanale të hapura në të gjitha drejtimet.

Pse shkuat te kinezja, kur mund të shkonit që në fillim, kemi humbur kohë?

Nuk kemi humbur asnjë ditë kohë. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse kinezja apo rusja nuk janë në një pazar dhe thjesht shkon atje dhe i merr.

Ambasada ruse ju ofroi mos gaboj?

Lëre çfarë bëhet për politikë, Kina dhe Rusia me shumë mjeshtëri kanë ditur që me pak karamele të bëjnë sikur po shpërndajnë ëmbëlsira gjithandej, por nuk është e vërtetë. Ne kemi pasur vijimësisht kanale të hapura në të gjitha drejtimet. Ndryshimi i qëndrimit im është sidoqoftë një ndryshim shumë i butë, se sa ndryshimi i kancelares së Gjermanisë, që ka arritur në pikën që thotë ne duam të marrim Sputnikun rus, dhe do ta marrin edhe nëse BE nuk do ta aprovojë, që është një kapërcim shumë i madh. Sepse Gjermania, ndryshe nga zakonisht nuk po shkëlqen në procesin e vaksinimit, për shkak se ia la të gjithën në dorën e BE dhe nuk ka sasitë për të ecur në ritmin e Britanisë së Madhe apo Izraelit.