Opinione Përse është gabim të krahasosh protestat e Francës me ato të Shqipërisë

Përse është gabim të krahasosh protestat e Francës me ato të Shqipërisë

Nga Denis Dyrnjaja

Shpesh e më shpesh po tentohet të vendoset një vijë paralele mes protestave në Paris me ato në Tiranë dhe përveç dallimit në formë po i mëshohet shumë idesë, madje edhe me ironi se përse ndërkombëtarët heshtin kur Parisi digjet dhe reagojnë kur në Tiranë hidhen ca gurë.

Kjo është vetëm një qasje sipërfaqësore e situatës kur mendon çfarë përfaqësojnë francezët dhe çfarë përfaqësojnë shqiptarët në raport me lirinë dhe më pas me demokracinë.

Le të përmendim disa prej fakteve që bëjnë dallimin. Franca si shtet, si komb ka qenë një vend që ka pushtuar shtete të tjerë dhe ka qenë shumë pak e pushtuar në periudha të ndryshme të të gjithë ekzistencës së saj. Ndërsa ne shqiptarët kemi qenë në 600 vitet e fundit vetëm të pushtuar.

Edhe kur mendonim se ishim të lirë gjatë regjimit komunist që erdhi pas pushtimit fashist, sërish ishim të pushtuar nga një kastë kriminale diktatoriale si ajo që prodhoi regjimi i Enver Hoxhës mendësinë dhe reminishencat e së cilës i shohim edhe këta 30 vite pseudo demokraci. Francezët vetë janë prodhues edhe revolucioni, edhe demokracie. Ne s’kemi prodhuar kurrë asnjërën prej tyre. Francezët kanë prodhuar shtet, ne anti shtet.

Ata sot po prishin e djegin në emër të shpirtit karakterial të pashtypshëm, atë që vetë kanë ndërtuar me mund dhe krenari e nesër e ndërtojnë përsëri, me paratë e tyre, ndërsa ne nuk kemi krijuar asgjë dhe na duhet të lypim për të ekzistuar. Jemi në rrënim të gjithhershëm.

Franca është një ndër vendet që prodhoi Bashkimin Europian dhe ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB, pra vendos për fatin e vendeve dhe shteteve të tjerë, ndërsa ne nuk vendosim dot as për fatin tonë, jo më të të tjerëve. Dhe për të mos e zgjatur pa fund se diferencat janë si dita me natën, po kaloj në ditët e sotme.

Në Francë njerëzit kanë disa elementë të rëndësishëm, karakterin rebel, dinjitetin dhe konceptin për shtetin.

Ata dalin në protestë se i thërret ndërgjegjja e vet, ne na thërret politika me komandë dhe na shpërndan me komandë. Francezët janë populli ku drejtësia nuk është e askujt përveç se e ligjit.

Në Francë kanë shkruar para gjyqit presidentët e vendit Shirak e Sarkozy që kanë patur në dorë jo vetëm pushtet politik, por edhe butona bërthamorë dhe për ta nuk e dogji kush një shkop sepse shtetin dhe drejtësinë se kanë prej plasteline që të ndryshojë formë sipas tekave të politikës dhe politikanëve.

Pra diferenca është përmbajtësore dhe themelore ndaj kujdes se veshja e jelekëve nuk e barazon një protestues të unazës së re me një jelekverdhë francez. Ata dalin në protestë kundër “zaptimit të të drejtave”, këtu dilet në protestë për të mbrojtur “zaptimin”!