Opinione Përse mbërriti sot posta e DASH në Tiranë?

Përse mbërriti sot posta e DASH në Tiranë?

Nga Mentor Kikia

Sali Berishës sot i erdhi zyrtarisht njoftimi se ishte i padëshirueshëm në SHBA, bashkë me familjen e tij.

Ka disa arsye pse posta e DASH mbërriti në këtë kohë në Tiranë. Sepse Berisha, mund të jetë një frymëzues i një opozite agresive, tashmë kur PD është duke kontestuar në rrugë ligjore zgjedhjet dhe kur është futur në një proces zgjedhor të brendshëm.

Në PD nuk ka zëra publikë që opozita të mos zërë sërish karriget e saj në parlament, por as të kundërtën nuk e ka pohuar zyrtarisht. Vetëm disa zëra e thonë, si nëpër dhëmbë, se opozitarizmi do të bëhet në rrugë zyrtare, por duket se ka ide që mund të shtyjnë opozitën drejt lëvizjeve radikale.

Berisha e ka ditur më shumë se kushdo tjetër që është “non grata”. Por duket se njoftimi i sotëm vjen jo vetëm për të, por edhe për Ilir Metën.

Sali Berisha përmendet si i korruptuar, që pasuroi veten, familjaret dhe aleatët e tij politikë.

Sali Berisha përmendet si i “gatshëm të mbrojë vetën dhe aleatët e tij në kurriz të hetimeve të pavarura dhe përpjekjeve për antikorrupsion”.

Në të dyja rastet, aleati është Ilir Meta, i përfshirë para zgjedhjeve edhe në një komunikim shumë agresiv me ambasadoren e SHBA.

Megjithatë, më shumë sesa deklarata e DASH, për Berishën rëndësi ka nëse janë apo jo të vërteta aludimet. Unë mendoj se përpara se nga DASH, Berisha u shpall i padëshiruar nga shqiptarët në 2013, pikërisht për shkak të korrupsionit të qeverisë së tij, që kulmoi në mandatin e përbashkët PD-LSI.

Unë nuk besoj se Sali Berisha do të shkojë në burg. Ai e ka përmbyllur edhe karrierën politike. Ajo që duhet të bëjë ai, është të tërhiqet dhe të lërë PD-në të rimëkëmbet natyralisht, përmes një procesi zgjedhor real.