Kryesore Përse PD shkërmoqet vazhdimisht

Përse PD shkërmoqet vazhdimisht

Nga Bedri Islami

Ajo që po ndodh ditët e fundit brenda PD-së nuk është asgjë tjetër veçse lejtmotivi i një kronike të paralajmëruar. Është, si të thuash, përsëritja e një shkërmoqje, e cila, edhe kur nuk është kaq e thellë sa është tani, përsëri ka sjellë në politikën shqiptare edhe më tej kaos, rrëmujë dhe gjakderdhje. Asnjëherë në lëvizjen politike në Shqipëri, pas vitit 1990, një strukturë që mënon të paraqitet si forcë politike, nuk ka mbi vete aq shumë banditizëm, krim dhe vënie në ankand të çështjes kombëtare shqiptare.

PD-ja nuk ndahet tani për herë të parë dhe as që ka për herë të parë një lëvizje të tillë politike kundër vetes, të dalë nga vetë ajo. Ndarjet e saj kanë qenë të mëdha dhe me pasoja, deri afër katastrofës, për njerëzit dhe vendin, dhe, megjithëse është paraqitur si forca e parë properëndimore shqiptare, në fakt ajo ka qenë rreptësisht kundër botës së civilizuar, mendimit të lirë dhe zhvillimit normal e demokratik të një vendi që, duke dalë nga një sistem totalitar, ëndërronte të ishte pjesë e familjes europiane. Që nga ndarja e parë e madhe, e aleancistëve të Cekës e deri tani tek lëvizja e re që synon të quhet progresive, në thelbin e PD-së kanë ndodhur çarje politike, të cilat, për vetë mënyrën se si i janë vërsulur njëra-tjetrës, pjesa e ndarë dhe trungu, kanë sjellë në vemendje se ajo që media dhe politika ka dëshmuar për to, nuk ishin asgjë tjetër veçse pjesa e dukshme e një maskarrallëku të pashoq që kishte ndodhur në Shqipëri.

Përse ndodh një shkërmoqje e tillë?

Janë vetëm interesa të ndryshme politike apo ka diçka më tepër se kaq?

Është luftë për pushtet, apo, siç ndodh rëndom, pas politikës, fshihen klane të fuqishme mafioze, oligarki financiare që janë ndeshur interesa të ndryshme politike apo vetë politika e shfaqur ka shërbyer e shërben për fshehjen e qëllimeve të tjera, të cilat pak kanë të bëjnë me idetë, vizionet e përkushtimet?

Ka disa shkaqe pse ndodh një gjë e tillë dhe gjërat duhen kapur që në gjenezën e saj, pra që asaj nate, kur në shtëpinë e Gramoz Pashkos, mblidheshin një grup njerëzish, disa nga të cilët ishin bashkëpunëtorë aktivë të sigurimit të shtetit, të tjerë komunistë të devotshëm, një palë nga familjet që kishin shtrydhur deri në palcë pushtetin e komunistëve dhe kishin qenë pjesë e piramidës së saj, dhe, nga ana tjetër, disa studentë naivë, që menduan se, duke thirrur për demokraci dhe me dy gishta lart, do të vinte fjala e lirë, mendimi i lirë, bota kapitaliste.

Së pari, PD, që në themelimin e saj ishte vepër e trefishtë e sigurimit të shtetit, përmes emisarëve të saj, njëri nga të cilët do të ishte Azem Hajdari; përmes shërbimit të fshehtë serb, përmes Bujar Hoxhës, njeriu që në vitin 1982 kishte synuar të dërmonte lëvizjen ilegale çlirimtare në Kosovë dhe më pas kishte infiltruar në të elementë të UDB-së jugosllave, dhe, së fundi, por që duheshin të ishin shumica, intelektualë të njohur, të cilët, si kurrë më parë, menduan se kishte ardhur koha e tyre për të bërë diçka në dobi të vendit.

Intelektualët e njohur, më i shquari prej tyre do të ishte Aleksandër Meksi, u përdorën mjeshtërisht për figurën që kishin krijuar, e më pas, siç ndodh rëndom në partitë e krijuara nga një filesë e tillë, ose u shkëputën vetë, ose u dëbuan.

Së dyti, pavarësisht fjalëve të mëdha për liri e demokraci dhe për Shqipërinë si gjithë Europa, një ëndërr që nuk ishte vetëm e studentëve, lindi më shumë si një bandë politike, se sa një forcë politike, aq e domosdoshme për kushtet e vitit 1990.

Jo rastësisht në fillimet e saj PD-ja mblodhi rreth vetes një grumbull të madh njerëzish që deri asaj kohe ishin njohur ose si burgaxhinj, ose si njerëz të rrugës, ose pa asnjë veti vetjake që mund të ndillte tërheqjen drejt idealit të tyre. Në fakt ata nuk kishin ideal.

Më ka mbetur në mendje 13 dhjetori i vitit 1990 në qytetin e Shkodrës. Së bashku me një koleg gazetar, Rifat Dajti, e ndoqëm atë që nga fillesa, ku një grup studentësh u detyruan me forcë të dilnin rrugëve, e deri në fundin e saj. Çuditërisht, rrotullimi i parë i saj ishte i padëmshëm, nuk u thye asgjë dhe nuk u prish asgjë. Një demonstratë, e cila, si filloi, nuk mbaroi. Pasi grupi i demonstruesve, që shtoheshin gjatë rrugës arriti edhe një herë nga ishte nisur, tek Universiteti “Luigj Gurakuqi”, para tyre doli një turmë tjetër, në drejtimin e së cilës nuk dihej se kush ishte, por që dallohej Pjetër Arbnori, ndoshta më i qeti deri në atë moment. Turma u kthye, ose më saktë, u detyrua të kthehej dhe në kthim, përmbysi e vodhi gjithçka gjeti para vetes.

Në fakt kjo ishte edhe fytyra e një lëvizje politike, e cila, dukej se do të ishte si rrethi i parë i demonstratës, e qetë dhe me mendim, por që shumë shpejt do të shfaqej ashtu si rrethi i dytë i saj, me shkatërrime, vjedhje, grabitje e pasiguri të përgjithshme shoqërore.

Asnjërin nga këto akte nuk e dënoi PD-ja, përkundrazi e bëri pjesë të politikës së saj dhe njerëzit që drejtonin bandat, i bëri shumë shpejt eksponentë të Shërbimit Informativ, të Policisë dhe disa i dërgoi tek Plepat, për të qenë gjykatës.

Nëse zoti Lu, ambasadori amerikan, flet sot për 20 familje mafioze e 4 klane, ai është treguar i rezervuar, pasi janë shumë më tepër se kaq dhe fillesën e kanë pikërisht në këtë lëvizje politike, çmeritëse dhe të pazakontë. Këto “SHIK-as”, “policë” e “ gjykatës”, truproja të Presidentit dhe të shefave të tjerë, do të jenë shumë shpejt zaptuesit e trojeve, oligarkët, krijuesit e bandave të vërteta.

Së treti, rrugën drejt pushtetit PD-ja e përceptoi që në fillim si një lëvizje komuniste të dorës së ashpër, me dhunë. Provën e parë ajo e bëri tek Shkolla e Bashkuar e Oficerëve, të cilën deshi ta merrte me armë, dhe, kur mendoi se mund të dështonte, kërkoi me çdo kusht të bënte një lëvizje antishtet, si mënyra e vetme për të marrë pushtetin. Pushtetin me armë PD-ja synoi ta merrte edhe në shtatorin e vitit 1998, ku gardistët e lidhur me të, pikërisht ata që ishin deleguar prej tyre në sistemet e sigurisë, mbi tanke, sulmuan institucionet e shtetit, ndërsa godinën e vetë PD-së e kishin shndërruar në një depo armësh. Jo rastësisht, në lëvizjen e shtatorit 1998, me lëvizjen grusht shteti të PD-së, do të bashkoheshin edhe elementë dhe trupa që kishin qenë në shërbim të shërbimit të fshehtë ushtarak serb, e ndonjëri prej tyre kishte qenë edhe ushtarak madhor, pjesë e vrasjes së dy liderëve të lëvizjes çlirimtare në Kosovë, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha.

Krijimi i grupeve paramilitare në vetë PD-në vazhdon edhe sot me korpusin e quajtur me  emrin e Azem Hajdarit, veshur me një uniformë që të kujton fashistët dhe që e kanë mendjen ende tek mundësia e kthimit pas të vitit 1990 , kur shteti kishte rënë dhe bandat u bënë okupuesit e tij.

Pjesë të rëndësishme të këtyre bandave, pas një strukje të përkohshme në vitin 1997, “lulëzuan” në qeverisjen e dytë të PD-së, sidomos në periudhën mes viteve 209 – 2013. Kjo është periudha kur këto banda krijojnë fizioniminë e tyre të plotë, të veshur me petkun e politikës, por me dorën e policisë së shtetit.

Qeveria e përbashkët e së majtës, në katër vitet e para të pushtetit të tyre, nënvlerësuan këto banda të krijuara, menduan se me largimin e tyre nga postet zyrtare do të minimizohej edhe forca që kishin ata. Të lidhura me politikën, edhe pse pjesa e tyre e politikës ishte në opozitë, ata ishin forcuar aq shumë, sa që klanet që ka në mendje zoti Lu janë tepër foshnjarake përballë kësaj kaste.  Besoj se e majta në pushtet tani e ndjen gabimin e saj, një gabim që mbi të gjitha duhet të kishte rënduar mbi ministrin e Brendshëm socialist, Saimir Tahiri e sot mund të përcillet tek ministri i ri.

Së katërti, me pak përjashtime, sidomos të fillimeve të saj, në PD nuk ka pasur asnjëherë një vizion politik të qartë dhe asnjë linjë të përcaktuar. E quajtur e djathtë, ajo në fakt ka qenë forca më populiste që ka njohur vendi në pluralizëm. E pranuar në forcat e djathta politike europiane, ajo ka qenë delja e zezë e kësaj strukture, sidomos në periudhën Basha. E renditur si një forcë që do të vendoste kapitalizmin, ajo risolli narshinë; e quajtur parti e ligjit, ajo bëri antiligjin dhe nxorri nga arkat e vjetra Kanunin, si një ligj themeltar i vetdrejtësisë; e përcaktuar si parti e fjalës së lirë, ajo u bë mbytësja e saj.

Mungesa e vizionit u zevendësua me praninë e bandave. Të paktët që deshën të shkulnin këto Banda, sidomos ish-ministri i Brendshëm Olldashi, me ndërhyrjen e Fazlliçit, u largua nga posti për të qenë ballë Ramës në një kandidim bashkiak ku gjithçka ishte e vendosur; bandat morën frymë lirisht, sepse gjithnjë ishte droja se u kishte ardhur koha që të goditeshin. Olldashin e hoqën bandat e oligarkisë brenda forcës së tij politike dhe Fazlliçi, si njeriu që kishte dorën e zgjatur edhe në Këshillin e Sigurimit, por edhe në bandat e sofistikuara të lidhura me politikës, si ato rreth klanit Berisha.

Së pesti, ish të përndjekurit politikë dhe familjet e tyre, megjithëse u turrën tek PD-ja, ishin përsëri të huaj për të. Ndonjë përfaqësimi rrallë, si ishte zonja Topalli, nuk kishte të bënte me të kaluarën e saj familjare; si ajo kishte pasur në Shkodër dhjetra e qindra të tjerë. Në fakt ajo ishte shembulli më i skajshëm se deri ku mund të shkonin të djathtët nëse do të kishin qenë në pushtet në vitin 1945, me thirrjen e saj halucionante se “Berisha në vitin 1997 bëri gabim qe nuk ju vrau të gjithëve”.

Por të përndjekurit e mendimit ishin lënë e vazhdojnë të jenë jashtë forcës që menduan se do të ishte pjesë e tyre. Dhuna ndaj tyre do të jetë e vazhdueshme dhe do të kishte një shfaqje të turpshme të saj në rastin e përplasjes Nishani, një kapterr i politikës dhe Visar Zhiti, një ish i burgosur politik, poet, mendimtar dhe ish ministër, që papritmas shpallet nga ish-presidenti si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

Së gjashti, lëvizja e tanishme, më shumë se një rebelim vizioni dhe idesh, është një ngritje koke ndaj përjashtimit të tyre. Kanë  heshtur kur janë goditur të tjerët dhe janë gëzuar se erdhi rradha e tyre. Tani të tjerë gëzohen që u përjashtuan ata dhe kanë rradhën. Të ardhurit e rinj janë njëlloj si të larguarit. Të ashpër, hakmarrës, përjashtues, si ishin edhe të vjetrit.

Lëvizja e re politike synon një rikthim tek Olldashi, por pa Olldashin. Janë të vonuar.

Mund të livadhisin edhe disa kohë, aq sa do të dojë shefi i tyre i gjithanshëm, Berisha. Në momentin kur ai do të kërcasë dhëmbët ose do të fillojë të hapë arkivën e tij, të gjithë do të heshtin dhe do të rikthehen si djemtë plangprishës tek vatra nga u nisën, por që ishte një vatër plot tym, mjegull dhe lagështirë.

Pikërisht sepse ka një fillesë të tillë, ndodhin edhe shkërmoqjet, por që do të jenë, si edhe më parë, stuhi në një gotë uji.

Basha do të vazhdojë të qeverisë në strukturën që i la ati i tij politik.

Të tjerët do e ndjekin. Kur të kthehen, do të jenë kokulur dhe të penduar.