Kryesore Përse u shtuan rojet e Vlahutin dhe lëvizja e dyshimtë pranë rezidencës...

Përse u shtuan rojet e Vlahutin dhe lëvizja e dyshimtë pranë rezidencës së diplomates

Gjatë ditës së sotme mediat e kanë cilësuar të fshehtë një vendim të qeverisë shqiptare për të rritur numrin e efektivëve të Gardës së Republikës në ruajtje të ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Burime nga zyra e ambasadës së BE në Tiranë bëjne me dije se nuk bëhet fjalë për asgjë të fshehtë, por ndërsa ambasadorët e vendeve përkatëse, përshembull SHBA apo Italia e Gjermania, ruhen me forca të posaçme të ardhur nga vendet e tyre, të cilat funksionojnë si personel diplomatik, BE nuk ka të tilla dhe i ngelet ose t’i marrë nga vendi i origjinës ose duhet të ruhet nga vendi pritës.

Zakonisht të gjithë ambasadorët e BE-së janë ruajtur nga ushtarët e Gardës.

Por lajmi ishte pikërisht shtimi i tyre, nga 5 në 10 që do të thotë që është shtuar edhe turni i natës.

Kjo ka ardhur pas një “kërcënimi” apo lëvizje të dyshimtë pranë rezidencës së diplomates kroate që drejton selinë e BE-së në Tiranë, pikërisht këto ditë që ka nisur vetting.

Edhe pse rasti nuk është bërë publik dhe nuk ka nisur asnjë hetim zyrtar, sërish masat janë marrë seriozisht nga autoritetet shqiptare.