Kryesore Pesë vende dhe disa leksione për luftën kundër koronavirusit

Pesë vende dhe disa leksione për luftën kundër koronavirusit

Gjermania, Zelanda e Re, Tajvani, Islanda dhe Koreja e Jugut: Shembujt e suksesit në luftën kundër virusit

Bota u tregua e papërgatitur nga përhapja e koronavirusit, pavarësisht fuqisë ekonomike dhe ekselencës së strukturave mjekësore. Por disa vende kanë qenë shembuj në parandalimin e koronavirusit, duke i dhënë njerëzimit disa leksione që mund të jenë shumë të vlefshme në të ardhmen.

Shembulli i Tajvanit

Tajvani ishte një nga shtetet më të afërta në linjë ajrore me Ëuhanin, nga ku gjithçka filloi. Fillimisht ishulli regjistroi përhapjen më të madhe të epidemisë përtej Kinës, por më pas shifrat ndalën plotësisht. Sot Tajvani ka vetëm 390 raste totale dhe 6 të vdekur, dhe asnjë rast të ri. Si ia arriti?

Ishte i përgatitur. Tajvani kishte kaluar në 2003 epideminë e SARS, e përafërt me koronavirusin e ri, dhe kishte plane të detajuara mbi karantinimin e personave dhe distancimin social, si dhe përdorimin e maskave. Qendra Kombëtare që koordinon masat kundër epidemisë u ngrit fuqiplotë një ditë para se të zbulohej rasti i parë në vend.

Tajvani mori masa shumë të rrepta dhe mirë të koordinuara

Ishte i shpejtë. Tajvani filloi kontrollin e temperaturës dhe pneumonisë e të gjithë pasagjerëve që vinin nga zona e Ëuhanit vetëm pak ditë pasi autoritetet kineze zbuluan rastet e para të koronavirusit.

Zbatoi karantinën. Testimet në ishull ishin masive, dhe personat e infektuara si dhe të afërmit e tyre jo vetëm zbatuan rreptësishtë karantinën, por ishin të monitoruar nga disa aplikacione, ku popullsia njoftohej nëse një person i infektuar braktiste zonën e karantinës.

Islanda bëri testime masive në popullsi

Shembulli i Islandës

Islanda ka patur 1700 raste infeksioni, dhe 8 të vdekur. Mund të ishin më shumë, po mos të kishin marrë disa masa paraprake. Pjesa më e madhe e popullsisë, pati mundësi të bëj testin, duke kufizuar së tepërmi zonat kritike në ishullin verior.

Ishte agresive. Masat në vend nuk ishin tepër kufizuese, dhe njerëzit ende mund të mblidhen deri në 20 persona, duke mbajtur distancën e duhur. Shkollat fillore janë ende hapur, duke lehtësuar jetën e punëtorëve. Por strategjia islandeze mbështetej tej reagimi agresiv në rast identifikimi të rasteve, me personat që izoloheshin menjëherë, duke u mbështetur tek policia për të identifikuar çdo kontakt të të infektuarve me të afërmit. Në këtë mënyrë Islanda zbuloi se rreth 50% i të infektuarve ishin asimptomatikë, një dhënë e rëndësishme që ndërgjegjësoi vendet e tjera mbi rrezikun e pandemisë.

Shembulli i Koresë së Jugut

Koreja e Jugut deklaroi rasti e saj të parë të njëjtën ditë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe. Ndërkohë që në këto vende tashmë të infektuarit maten me qindra mijëra, në shtetin aziatik rastet e reja mbeten më pak se 30 çdo ditë.

Bëri testime me metoda të reja. Testimet masive të kryera në popullatë u mundësuan edhe nga metoda të reja, si ato të disa “postblloqeve”, ku personat që kalonin me makinë mund të kryenin në siguri totale testimin.

Postblloqet koreane për testimet

Mësoi nga kaluara. Koreja e Jugut kishte kaluar dy epidemi të frikshme në vitet e mëparshme, si ajo e SARS në 2003 dhe MERS në 2015, ku qindra persona kishin humbur jetën. Kjo mundësoi një koordinim të shkëlqyer midis qeverisë qendrore dhe atyre vendore, dhe një përgatitje psikologjike nga ana e popullsisë.

Përdori teknologjinë. Koreja e Jugut është një nga vendet më të teknologjik në botë. Të rinjtë bashkëjetojnë me aplikacionet më të avancuara, dhe nuk kishin problem t’ i përdornin për të evidentuar personat e infektuar, ose sinjalizuar shkelje të masave.

Shembulli i Gjermanisë

Gjermania duket rast i veçantë. Vendi europian ka një numër të madh të infektuarish, i pesti në botë me 135 mijë persona, por një vdekshmëri shumë të ulët, “vetëm” 3800. Arsyet kanë të bëjnë më së shumti me infrastrukturën e saj.

Gjermania ka një kapacitet shtretërish në spitalet e saj që tejkalon kërkesën

Kishte infektuar më të rinj. Gjermania, në ndryshim me vende si Italia, Franca dhe Spanja, nuk pati një përhapje të gjerë të infeksionit tek të moshuarit. Mesatarja e moshës të infektuarve është në fashën 35-59, ndërkohë që në Itali i afrohet 80 viteve. Kushteve të mira në azilet dhe spitalet është një faktor, por elementi kyç ka të bëj me dimensionin e kapacitetit të institucioneve shëndetësore.

Ka një kapacitet shtretërish të madh. Sipas autoriteteve gjermane, në pikun e tij vendi do të ketë nevojë për 12 mijë shtretër për pacientët me koronavirus. Por ndërkohë, vendi disponon plot 147 mijë të tillë. Një siguri në mundësitë e tyre, që ka bërë diferencën për gjermanët.

Shembulli i Zelandës së Re

Kryeministrja Jacinda Ardern, një nga liderët botërore më të admiruara për betejat e saj sociale dhe për qasjen humane në marrëdhëniet me popullin, më datë 23 mars mbylli çdo gjë. Një nga masat më të rrepta në botë, për një vend që në atë moment kishte të deklaruar vetëm 102 raste dhe asnjë të vdekur. Por disa javë më pas, rezultatet po shihen qartë. Pas një rritje të shpejtë, që i referohej natyrisht periudhës së mëparshme të karantinës, shifrat në ishull kanë mbetur nën kontroll.

Kryeqyteti Wellington, i boshatisur nga masat ndaj koronavirusit

Strategjia e eliminimit. Kryeministrja neozelandeze dhe kabineti i saj kanë zgjedhur faktikisht “strategjinë e eliminimit”, që nënkupton pikërisht një izolim total dhe testime masive të popullsisë, në mënyrë për të lokalizuar të gjithë infektuarit dhe të afërmit e tyre.

Kjo strategji, që në ditët e para shtoi së tepërmi numrin e të infektuarve në statistika, sot po jep rezultate shpresëdhënëse. Për të marrë këtë vendim, patjetër që qeveria ka patur besimin e plotë që strukturat shëndetësore do të mbanin rritjen e kurbës të së sëmurëve.

Strategjia e eliminimit parashikon në fakt një ngritje të shpejtë të kurbës së epidemisë, por edhe një rënie të shpejtë në rast suksesi, me objektiv eliminimin total të virusit në territorin e përcaktuar, ndryshe nga strategjia e “frenimit” të virusit, ku kurba nuk arrin pikun më të lartë, por zgjat më shumë në kohë.

Strategjia e Zelandës së Re për eliminimin total tani po studiohet në të gjithë botën.