Politika Peshkimi, Rama: Vijnë nga Turqia dhe Egjipti për të punuar, paga më...

Peshkimi, Rama: Vijnë nga Turqia dhe Egjipti për të punuar, paga më e ulët 800 mijë lekë

Gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2022 për peshkimin, kryeministri Edi Rama pati një thirrje për komentuesit në rrjetet sociale se nuk ka punë. Sipas kreut të qeverisë në industrinë e peshkimit paga më e ulët është 800 mijë lekë. Për shkak se nuk ka punonjës, ai u shpreh se për të plotësuar nevojat e peshkimit kanë ardhur njerëz nga Turqia dhe Egjipti. Sipas Ramës, të gjithë ata që duan të vijnë të punojnë në industrinë e peshkimit e kanë vendin gati aty.

“Po ju them gjithë tyre që e shohin Shqipërinë e punës, nga portalet, nga kanalet, rrjetet sociale që paga më e ulët që ju jepni për të punuar në peshkim është 800 mijë lekë. A ka njeri këtu që nuk ka nevojë për punëtorë peshkimi? Të gjithë kanë nevojë për punëtorë peshkimi sepse është një ekonomi që po rritet dhe do të vazhdojë të rritet. Ku i gjeni punëtorët me 800 mijë lekë paga më e ulët? Në Turqi, në Egjipt. Vijnë nga Turqia për të punuar këtu në Shqipëria. Vijnë nga Egjipti. Disa me diploma “Kristali” që pretendojnë se janë juristë kërkojnë punë. S’ka punë. Jo mo, të vijnë dhe të trokasin në dyert e industrisë së peshkimit dhe nëse janë gati të punojnë e kanë gati këtu”, tha Rama.

Kryeministri garantoi për peshkatarët financim çdo vit për flotën. Megjithatë ai shtoi se duhen adresuar disa çështje që të rritet fuqia e peshkatarëve shqiptarë.

Ai u shpreh se qeveria do të japë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për riparimin e anijeve.

“Ju thoni kjo kushton X. Atëherë Y do ta verë shteti dhe do të japë jo kredi, por lekë në dorë, mbështetje. Ti do vesh pjesën tjetër”, tha Rama.