Kryesore “Peshku i madh Balili”, “amaneti” i ish-ambasadorit Donald Lu!

“Peshku i madh Balili”, “amaneti” i ish-ambasadorit Donald Lu!

Arrestimi i Klement Balilit ka qenë një prej kërkesave të vazhdueshme të ish-ambasadorit amerikan Donald Lu. Kryediplomati ka theksuar disa herë se mosarrestimi i Balilit ishte një dështim i policisë dhe i sistemit të drejtësisë në tërësi.

“Peshqit e mëdhenj” ishin porosia që ai u la autoriteteve shqiptarë para se të largohej dhe sot pas vitesh kërkimi, Klement Balili është në duart e drejtësisë.

Ende nuk është e qartë nëse u vetëdorëzua apo u arrestua, por një nga porositë e Lu-së shkoi në vend.

“Agjencitë e SHBA-së i kanë thënë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm ta arrestojnë Balilin. Nëse nuk kapet Balili, si do të mund të shkojë pas peshqve të tjerë të mëdhenj drejtësia shqiptare? Kush do ta besonte se ky është vend serioz në luftën kundër trafikut nëse nuk procedohen peshqit e mëdhenj?

Unë për vete jam i skandalizuar, që dy vjet e gjysmë pasi qeveria greke nxori urdhër-arrestin, ende nuk e kemi kapur Klement Balilin”, pati apeluar ambasadori amerikan.

Donald Lu mbyll shërbimin e tij në Tiranë dhe ai do mbahet mend gjatë si diplomati që ndezi motorët e reformës në drejtësi dhe kërkoi arrestimin e kokave të krimit, duke i përmendur me emra të gjithë një nga një.