Bota Pesimizëm në Itali, sot 727 viktima, por rriten rastet e reja

Pesimizëm në Itali, sot 727 viktima, por rriten rastet e reja

Pas disa ditësh pozitive në raportin e rasteve të reja, kjo e mërkurë ka sjellë një tjetër rritje të pacientëve të rinj në Itali.

Sipas të dhënave zyrtare në 24 orët e fundit janë shënuar 2937 raste të reja, diçka më shumë se 800 në raportin me bilancin e ditës së martë kur kishim pasur 22017 raste të reja në vetëm 24 orë.

Ndërkohë numri i viktimave këtë të mërkurë ishte 727, ose 11 viktima më pak sesa u raportuan për ditën e martë.

Në total numri u viktimave në Itali ka shkuar në 13 mijë e 155, një bilanc lufte.

Shqetësim është edhe numri i madh i pacientëve që janë në terapi intensive. Plot 4035.

Totali i personave që janë të sëmurë aktualisht në vendin fqinj është 80 mijë e 572.

I vetmi lajm i mirë vjen nga numri i të shëruarve që edhe këtë të mërkurë ka qenë 1118.

Në Lombardi pati këtë të mërkurë 394 të vdekur, pak a shumë sa një ditë më parë. Ndërkohe numri i të prekurve në 24 orët e fundit  vetëm në këtë rajon ka qenë rreth 1600.

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, u është përgjigjur letrave të shumta të qytetarëve me një mesazh duke bërë thirrje për unitet në këto kohë krize: “Është një periudhë e trazuar, por do të dalim shpejt nga ky moment i vështirë”.

Ndërkohë, qeveria italiane po përgatit një plan për të ndihmuar kompanitë dhe bizneset në tejkalimin e krizës ekonomike të krijuar nga bllokimi i aktivitetit. Ndërsa kryetarët e rajoneve i kanë kërkuar kryeministrit Giuseppe Conte që të bëjë të qarta rregullat e izolimit, pasi shumë qytetarë po i keqkuptojnë.

Gjithashtu, liderë të shumtë rajonalë kanë lëshuar sulme të drejtpërdrejta ndaj Bashkimit Europian, për qasjen ndaj Italisë gjatë kësaj pandemie.