Kryesore Petro Koçi jep sqarime në SPAK: Bota e krimit ka lidhje me...

Petro Koçi jep sqarime në SPAK: Bota e krimit ka lidhje me LSI, ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve

Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi ka dhënë sot sqarime në SPAK pas deklaratës që bëri disa më parë kur tha se “duart e krimit në Fier janë mbi financat publike”.

Pas daljes nga SPAK, duke folur për gazetarët Petro Koçi i qëndroi deklaratave të tij. Ai u shpreh se bota e krimit në Fier ka patur vazhdimisht lidhje me elementë të caktuar të politikës, por edhe me zyrtarë lokalë aty.

Koçi përmendi Lëvizjen Socialiste për Integrim, për të cilën tha se kjo parti ka lidhje me botën e krimit të cilët kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare të 25 Prillit.

“Ju e dini që bota e krimit në Fier pa pasur lidhje të konsolidiuar me politikën. Në marrëdhënien edhe me LSI ndikuan në rezultatin në zgjedhjet e fundit. Rastet për të cilat kam denoncuar konkretisht i ripërmenda për të theksuar që kam vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me drejtësinë. Unë jam politikan, nuk zëvendësoj organet e tjera shtetërore. Qëndrimet nuk janë për të larë hesape me asnjë politik. Ne duhet të lajmë hesape me botën e krimit dhe nuk duhet të lejojmë të jenë prezent në lidhjet publike. Ajo që kam thënë që ndikojnë në financat publike është një gjë për të cilën jam shumë i bindur. Jam i bindur në gjithë perceptimin tim politik në qarkun e Fierit, por dhe nga fakti që shumica e zyrtarëve në Fier nuk e kanë mirëpritur deklaratën time. Që do të thotë se ajo që unë them është e vërtetë. Ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe janë përkulur presioneve të krimit. Unë do të jem një politikan që do të luftojë që jeta publike të jetë sa më e pastër. Duhet t’i inkurajojmë zyrtarët që të mos i përthyhen presioneve të krimit”, tha Petro Koçi.