Bota Pezullimi i Parlamentit, britanikët zbresin në rrugë kundër Johnson

Pezullimi i Parlamentit, britanikët zbresin në rrugë kundër Johnson

Ligjvënësit britanikë dhe kundërshtarët e një divorci pa ujdi nga Bashkimi Europian po reagojnë me zemërim ndaj vendimit të kryeministrit Boris Johnson për pezullimin e parlamentit.

Protesta masive u zhvilluan përreth vendit, ndërsa një peticion kundër nismës i publikuar në faqen e parlamentit ka grumbulluar mbi 1 milion firma.

“Ndaleni grushtin e shtetit”, ishte një nga thirrjet e manifestuesve të mbledhur pranë Westminster me flamuj të BE dhe pankarta kundër Brexit. Demonstratat nisën jashtë parlamentit para se të përhapeshin drejt Downing Street.

“Nuk ka rëndësi nga cili krah je, nëse je konservator, laburist apo liberal, nëse je pro apo kundër Brexit. Kjo që po ndodh është shumë shqetësuese. Jam shumë e zemëruar”, thotë Natasha, një protestuese.

Qeveria pretendon se pezullimi 5-javor i Parlamentit nga 10 shtatori deri në 14 tetor, i miratuar edhe nga mbretëresha, i jep gjithsesi kohë deputetëve të debatojnë për Brexit, por kritikët mendojnë se qëllimi  i Johnson ka qenë pikërisht të pengojë përpjekjet për parandalimin e një Brexit pa ujdi.

Është një vendim krejtësisht jodemokratik. Në një kohë krize kombëtare parlamenti duhet të jetë në gjendje të mblidhet e t’i kërkojë përgjegjësi qeverisë”, deklaroi ish ministri i Drejtësisë Philipp Hammond.

Për liderin e opozitës Jeremy Corbyn lëvizja përfaqësonte një shkelje të rëndë të demokracisë. Por ministri i kabinetit Michael Gove, tha se pezullimi nuk ishte aspak një përpjekje politike për të penguar opozitën të veprojë për Brexit. Sipas Johnson, pezullimi do të pasohej nga një fjalim i mbretëreshës në 14 tetor, kur do të parashtrohet ajo që e quajti, “axhenda e tij entuziazmuese”.