Kryesore Pezullohet dosja për trafik droge ndaj vëllait të Xhafaj

Pezullohet dosja për trafik droge ndaj vëllait të Xhafaj

Pezullohet për mungesë provash nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dosja penale ndaj shtetasit Agron Xhafaj. Dosja është firmosur disa javë më parë nga prokurori i çështjes, Përparim Kulluri, dhe ka urdhëruar rikthimin e materialeve në polici.

Organi i akuzës i ka lënë detyra policisë së shtetit që të plotësojë dosjen me informacionet e reja operative, dëshmi dhe prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e çështjes.

Sqarohet se procedimi i pezulluar nuk ka të bëjë me audio-përgjimin e publikuar nga Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si Babablja, por me disa fakte dhe të dhëna shtesë të pretenduara për implikimin e Agron Xhafaj në trafikim narkotikësh.

Prokuroria tha se për sa përmban përgjimi i publikuar nga Albert Veliu është arritur në përfundimin se bëhej fjalë për kallëzim të rremë.

Por sipas akuzës, gjatë pyetjes së Babales dhe deputetëve të Partisë Demokratike ka pasur pretendime për trafikimin e sasive të drogës nga fshatrat e Vlorës drejt Italisë.

Krimet e Rënda thanë se procedimi që është kthyer në polici ka të bëjë pikërisht me këto akuza për të cilat nuk janë gjetur prova të mjaftueshme.

Aktualisht, Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj tre personaven në lidhje me audi-përgjimin e Agron Xhafajt, duke fajësuar shtetasin Fredi Alizoti se ka luajtur rolin e Agron Xhafaj në përgjimin me Albert Veliun.

Nën akuzë për kallëzim të rremë është vendosur dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili publikoi përgjimin.

Pas ndarjes së dosjes ndaj këtyre personave, Prokuroria kishte mbajtur në hetim materialet për episodet e tjera të akuzave ndaj Agron Xhafajt, të cilat tashmë duhet të ri-hetohen nga policia.