Aktualitet Pfizer: Vaksina jonë 100% efektive tek të rinjtë e moshave 12-15 vjeç

Pfizer: Vaksina jonë 100% efektive tek të rinjtë e moshave 12-15 vjeç

Vaksina e Pfizer dhe BioNTech kundër COVID-19 është 100% efektive tek të rinjtë e moshave 12 deri në 15 vjeç. Kështu ishte zbulimi i fundit i prodhuesve të vaksinës, pas fazës së tretë të provave, e cila përfshinte 2,260 fëmijë në Shtetet e Bashkuara.

“Faza e tretë demonstroi 100% efikasitet dhe përgjigje të fortë të antitrupave”, shkruhej në deklaratën e Pfizer/BioNTech të mërkurën.

Ata thonë se shpresojnë ta vaksinojnë këtë grupmoshë përpara vitit të ri shkollor dhe kërkojnë autorizimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave dhe atë të Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) për përdorim të gjerë të vaksinës tek kjo grupmoshë.

Aktualisht vaksina është miratuar për përdorim emergjent tek personat mbi 16 vjeç.

Kompania po vijon ta testojë vaksinën tek fëmijët e moshave 5 deri në 11 vjeç, 2 deri në 5 si edhe tek fëmijët 6 muajsh deri në 2 vjeç.

“Mbrojtja e fortë e vaksinës tek fëmijët është shumë inkurajuese duke marrë parasysh trendin në rritje të infektimeve tek kjo grupmoshë pas përhapjes së variantit britanik”, u shpreh drejtuesi ekzekutiv i BioNTech, Ugur Sahin.

Vaksina e Pfizer/BioNTech, e cila u miratua fillimisht për përdorim në Perëndim, është injektuar në miliona të rritur në më shumë se 65 shtete.

Një studim i kryer në Izrael, ku përfshiheshin 1.2 milionë persona, tregoi se vaksina ishte 94% efektive.