Kulturë “Picasso i ri”, fëmija gjerman që po habit kritikën ndërkombëtare

“Picasso i ri”, fëmija gjerman që po habit kritikën ndërkombëtare

“Kur të rritem dua të bëhem futbollist”, i përgjigjet Mikail atyre që, gjithmonë e më shumë, e pyesin mbi të ardhmen. Një përgjigje e zakonshme për një 7- vjeçar që sheh në televizor Messin dhe Ronaldon, Mbappe dhe Neuer.

Por kur është portieri i Gjermanisë që të kërkon një autograf dhe jo e kundërta, dhe sa herë që të teket të pikturosh rezultati cilësohet nga ekspertët si vepër arti, jeta ndoshta mund të tingëllojë disi e çuditshme.

Ndoshta për të tjerët, por jo për Mikail Akar, gjermanin e vogël që kritika ndërkombëtare e ka cilësuar si “Picasso i ri”.

Në fakt, gjeniu spanjoll i kubizmit në moshën e tij mund të ëndërronte maksimalisht ndonjë karamele, ndërkohë që Mikail sapo ka përfunduar ekspozitën e tij të gjashtë personale në Berlin, ku të gjitha 20 veprat e tij u shitën, me çmime nga 8 deri në 11 mijë euro secila.

Talenti i tij doli në pah kur Mikail ishte vetëm 4 vjeç. Prindërit, që shisnin fruta e perime në Këln, nuk kishin mundësi për lojëra të shtrenjta, dhe i kishin dhuruar disa bojëra për fëmijë. Rezultati i veprës i mahniti, siç mahniti ata që e panë në Facebook. Ajo vepër u ble për 100 euro nga një sipërmarrës që tashmë është koleksionisti i tij i parë.

Prindërit kanë ndërruar shtëpi dhe punë, dhe ngjyrat e frutave i kanë zëvendësuar me ato në telajon e Mikailit të vogël, duke menaxhuar artistin e ri që ka rreth 40 mijë followers dhe një linjë kapelash me firmën e tij.

Por ata mohojnë që Mikail të këtë presionin më të vogël për të pikturuar. “Ai pikturon kur t’i teket, ndonjëherë çdo javë, por qëllon edhe njëherë në muaj”, thotë e ëma. Me çmimet që i shiten veprat e “Picassos së ri”, edhe njëherë në muaj mjafton për shpenzimet e familjes gjermane.