Kryesore Ping-pong me “dosjen 184”/ SPAK ia delegon sërish Prokurorisë së Dibrës

Ping-pong me “dosjen 184”/ SPAK ia delegon sërish Prokurorisë së Dibrës

Vazhdon ping-pongu me hetimin e dosjes 184 për shitblerjen e votave në zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër. Në Korrik të vitit të kaluar kjo çështje iu kalua Prokurorisë së Dibrës, pasi në atë kohë Krimet e Rënda e argumentuan se nuk janë gjetur prova për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.

Për çështje moskompetencë prokurori Klodian Braho e delegoi dosjen në Prokurorinë e Dibrës, atje ku edhe dyshohet se ka ndodhur vepra penale.

Pas shortit të hedhur në shtator, dosja u mor në dorë nga prokuroret Rifat Kojku dhe Belina Zeneli dhe hetimet do të vijonin për akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Fillimisht Prokuroria e Dibrës zgjati me tre muaj hetimet, por nuk dihet nëse ka ndërmarrë veprime konkrete.

Në 22 janar të këtij viti dy prokurorët e Dibrës e deleguan dosjen në Prokurorinë Speciale kundër korrupsionit e njohur si SPAK. Por një javë pasi u shqyrtuan materialet në këtë prokurori çështja është rikthyer serish në Dibër. Edhe SPAK ka shpallur moskompetencë për këtë çështje.

Dosja 184 u bë e njohur pas publikimit të disa përgjimeve nga gazeta gjermane BILD. Aty dëgjoheshin funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, të cilët komunikojnë me zyrtarë, biznesmenë dhe policinë lokale mbi rezultatin e zgjedhjeve.