Sport Pioli: Cili ishte momenti më i bukur i vitit 2020

Pioli: Cili ishte momenti më i bukur i vitit 2020

Milani ka kaluar një 2020 për t’u mbajtur mend, pasi ka dhuruar paraqitje të jashtëzakonshme, përtej të gjitha pritshmërive dhe nuk humb që prej muajit mars një ndeshje kampionati, ndërsa nesër në mbrëmje do të luajë sfidën e fundit të vitit pikërisht ndaj Lazios në “San Siro”.

Kuqezinjtë po përballen me dëmtime të shumta në këto momente, ndërsa Pioli bën thirrje që të tijtë të japin maksimumin për të marrë rezultat pozitiv edhe ndaj Lazios, në mënyrë që ta mbyllin 2020-ën në krye të renditjes.

Sa krenar jeni për punën e skuadrës tuaj?

Shumë. Krenaria vjen kur sheh punën që bëhet në klub, ku ka një personel që të ndihmon të japësh gjithmonë maksimumin. Kemi folur me të gjithë në klub dhe të gjithë jemi shumë të kënaqur me atë që po bëhet, por tani më e rëndësishme është ndeshja nesër.

Sa e rëndësishme është ta mbyllni 2020-ën në krye? Çfarë ka më shumë Milani, krahasuar me Juven e Interin?

Duhet të shohim gjithmonë përpara, për të bërë maksimumin pa parë nga klasifikimi. Vetëm në fund do të bëjmë llogaritë. Juve e Inter kanë cilësitë e tyre dhe ne tonat. Në letër ato janë favorite, por ne duhet të shohim punën tonë, pasi kemi shumë mundësi përmirësimi.

Si janë Rebiç dhe Tonali?

Sot bëmë një stërvitje të lehtë, pasi nuk mund t’i sforconim lojtarët 24 orë para ndeshjes. Rebic e Tonali u stërvitën me grupin, por vetëm nesër do të vendosim nëse do luajnë apo jo.

Gjithmonë keni thënë që keni organikë të plotë. A ndjeni se keni mangësi në këto momente?

Jo aspak, pasi kam një organikë të pasur me lojtarë cilësorë e të rinj. Sigurisht që çdo skuadër do të kishte vështirësi po t’i mungonin 4-5 titullarë dhe këtu nuk bëjmë përjashtim as ne, por tani mendojmë për Lazion dhe shpresoj që në janar të rikuperojmë ndonjë prej të dëmtuarve.

Çfarë lojtarësh do të kërkoni në merkato?

Unë dhe shoqëria jemi në të njëjtën linjë sa i përket merkatos, pasi duam të shfrytëzojmë rastet për t’u fuqizuar, por gjithmonë nëse do ketë raste të tilla. Duam të marrim lojtarë jo vetëm të fortë teknikisht, por edhe moralisht, si dhe t’i shërbejnë projektit të klubit.

Ku duhet të përmirësohet Leao?

Është e pamundur që të gjesh një futbollist që të arrijë maksimumin e pjekurisë në moshën 20-vjeçare, ndaj të mos presim më shumë sesa duhet nga ai. Gjithsesi unë e këshilloj vazhdimisht që të jetë më shumë sulmues dhe të shënojë më shumë gola.

Cilat janë momentet më të bukura të 2020-ës?

Ka shumë momente të tilla, por mua më pëlqen kur shoh që kam në dispozicion një grup të gatshëm të bëjë maksimumin dhe të punojë shumë për t’u përmirësuar vazhdimisht. Momenti më i bukur ishte kur Gazidis më telefonoi për të më thënë se shoqëria dëshiron të vazhdojë projektin me mua.

A është Milani për titull?

Jemi ambiciozë dhe duam të fitojmë gjithmonë. Ju flisni për të ardhmen, por kjo e ardhme ndërtohet vetëm duke menduar për ndeshjen e radhës. Duam të bëjmë mirë në çdo ndeshje dhe të përmirësohemi vazhdimisht, por nëse në fund jemi në krye të renditjes, akoma më mirë.

Një vit më parë humbnit 5-0 ndaj Atalantës. Çfarë ka ndryshuar që atëherë?

Ishte një humbje turpëruese për të gjithë, por ishte pikërisht ajo humbje, që na ndihmoi të hedhim gurin e parë për ndërtimin e këtij Milani. Aty kuptuam çfarë na duhej dhe më pas drejtuesit bënë një merkato optimale si në hyrje, ashtu edhe në dalje.