Sport Pioli: Kessie dhe Theo të disponueshëm. Titulli? Do të luftojmë deri në...

Pioli: Kessie dhe Theo të disponueshëm. Titulli? Do të luftojmë deri në fund

Në vigjilje të sfidës së mbrëmjes së nesërme ndaj Torinos, në stadiumin “San Siro”, në orën 20:45, e vlefshme për javën e 10 të Serisë A italiane, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Milanit, Stefano Pioli i cili ka analizuar këtë takim:

Golat e pësuar – “Duhet të jemi më të vëmendshëm dhe kompakt, të komunikojmë më mirë, për të fituar ndeshjet është e rëndësishme të pësojmë pak gola, edhe nëse kemi cilësitë për të shënuar gjithmonë një më shumë se kundërshtari.”

Milani lart në renditje – “Është ende herët për të folur, 9 ndeshje nuk janë asgjë. Tifozët kanë të drejtë që të ndihen krenarë për skuadrën, por tani mendojmë për nesër edhe më pas të mendojmë për sfidën e radhës. Megjithatë mund të them se jemi kompetitivë, të fortë dhe mund t’i luajmë shanset deri në fund”.

Impakti Ibrahimovic-Giroud – “Po flasim për dy ndeshje të veçanta, sfidat ndryshojnë. Kemi karakteristika të tjera që mund t’i shfrytëzojmë, kur ka nevojë për më shumë fizik dhe përvojë, ekziston edhe mundësia për t’i futur në fushë. Giroud dhe Ibra nuk janë në 100%, kohët e fundit luajnë dhe kaq dhe stërviten pak, do të duhet të gjejnë vazhdimësi.”

Theo Hernandez dhe Kessie – “Teo nëse sot stërvitet do të jetë pjesë e ndeshjes, por nuk besoj nga fillimi. Kessie është i gatshëm.”

Ndeshja ndaj Torinos si kundër Portos – “Porto nuk na sulmoi lart, ata kishin një sulmues i cili luajti mirë me qendrat tona. Verona dhe Torino, të cilët luajnë një futboll të ngjashëm bëjnë presion lart. Ne do të duhet të jemi mirë në lëvizje dhe gjetjen e hapësirave të duhura për të bërë mirë ndaj Torinos”.

Belotti- Milani do të duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë Belottit dhe Pobega. Ky i fundit, gjithashtu është në pronësi të kuqezinjve, por u huazua në verë: “Juric po bën një punë të shkëlqyer, pres një kundërshtar luftarak, agresiv dhe proaktiv. Belotti? Nuk e di nëse do të luajë, por sigurisht që është një sulmues i fortë. Do të jetë një ndeshje e komplikuar. Pobega po bën mirë, ka karakteristika të përshtatshme për lojën e Juric”.

Tatarusanu do të jetë ende portieri titullar: “Ai po rritet, është e qartë se për një portier joaktiv nuk është kurrë e lehtë. Mirante është akoma vonë në përgatitje, ndërsa Tatarusanu ka besimin tonë”, përfundoi Pioli.