Sport Pioli: Nuk e kam zili Conte, jam i lumtur te Milani

Pioli: Nuk e kam zili Conte, jam i lumtur te Milani

Stefano Pioli doli në konferencë për shtyp, në prag të derbit të Madoninës. Aty foli për shumë gjëra, ndërsa kërkoi nga të tijtë përqendrim dhe vetëbesim.

Pritshmëritë – “Ky derbi duhet të përgatitet mirë sot dhe nesër në mëngjes. Unë dua vendosmëri dhe bindje, karakteristika që janë të nevojshme në kësi lojërash”.

Gara e guximit në derbi – “Ne kemi treguar tashmë se kemi guxim. Kemi kaluar momente më të vështira sesa të lehta. Të tilla vështirësi ju ndihmojnë të tregoni mentalitetin e duhur, dëshirën për të marrë përgjegjësi. Tani duhet të dëshmojmë se jemi një ekip që po arrin nivele të rëndësishme”.

Për mungesën e fitores në derbi – “Është një stimul shtesë. Vështirësitë janë aty, por ne duhet të besojmë te suksesi përmes një interpretimi luftarak, të kthjellët, sa më preciz”.

Tri pikët e fituara – “Ato do të sillnin rritje të vetëvlerësimit, konsolidim në renditje. Ne po përgatisim një lojë shumë të rëndësishme dhe ajo duhet të përballohet me përqendrimin e duhur. Europa kalon nga 16 ndeshjet e ardhshme të Serie A”.

Pse Milani mund të fitojë – “Po kalojmë një moment të mirë, jemi të shëndetshëm dhe kemi lojtarë që mund të përcaktojnë një rezultat të rëndësishëm”.

Krahasimi me Conte – “Ai është një koleg, por unë nuk mund ta gjykoj. Duhet ta njoh më hollësisht. Të dy duhet të futemi në kokat e lojtarëve, në karakterin e tyre. Unë nuk e kam zili Conte, jam mirë këtu. Jam i lumtur te Milani”.

Rebic dhe Leao – “Pse jo të dy bashkë? Unë zgjedh tiparet e rëndësishme për ta filluar ndeshjen; llogaris edhe gjëra të tjera për ta ndryshuar atë”.

Për rëndësinë e ndeshjes – “Kemi ide të qarta dhe e kemi përgatitur mirë lojën. Na presin 90 minuta të vështira, por shumë të rëndësishme. Duhet të bëjmë më të mirën nga fillimi deri në fund. Kjo vlen jashtëzakonisht nesër, sidomos për pjesën e dytë. Një periudhë e rëndësishme fillon nesër”.

Në lidhje me armët kuqezi – “Ne krijojmë dhe finalizojmë shumë, duhet ta ruajmë këtë ritëm. Nesër nuk mund të lejojmë të mos jemi kompaktë në të dyja fazat, veçanërisht kur kemi topin. Nuk duhet t’i japim hapësirë kundërshtarit tonë, duhet t’i bëjmë këto gjëra mirë”.

Mbi parashikimet në favor të Interit – “Këto lloj ndeshjesh përgatiten me shumë kujdes, sepse duhen fituar medoemos. Ekipi im është në rregull, por nuk i fshehim vështirësitë që na presin. Kemi respekt për kundërshtarin e fortë në çdo repart. Interi është kompakt dhe teknik. Do të jetë e vështirë, por duhet të kemi bindje në mundësitë tona”.

Për hendekun në klasifikim dhe Ibrahimovic – “Nuk llogaris sa largësi ka midis nesh dhe Interit për momentin. Ne përballemi me një ekip që nuk ka humbur prej një kohe të gjatë. Unë dua që Milani të luajë ndeshjen më të mirë të tij, pavarësisht nga gjendja e Ibrahimovic”.

Mbi gjendjen e Ibrahimovic – “Ne bëmë gjithçka për ta rikuperuar nga gripi dhe lodhja. Rruga që ndoqëm ishte e drejtë, por tani duhet të luajmë si ekip. Ibra ka kryer punë të planifikuar dhe të individualizuar. Nëse sot do të stërvitet me ekipin dhe do ta kalojë këtë hap, ai do të jetë i disponueshëm”.

Derbet nuk luhen, por fitohen – “Të gjitha ndeshjet janë për t’u fituar, por këto lojëra vlejnë më shumë. Për të fituar duhet të luash më mirë, kështu ke më shumë shanse. Ky është qëllimi ynë”.

Vlerësimi për Interin – “E vërteta është se Interi bëri shumë më mirë në fillim të sezonit deri në dhjetor. Ne tani duam të rimarrim pozicionet, po ecim mirë. Duam ta konfirmojmë veten edhe në këtë derbi”.