Mjeku Pëllumb Pipero thotë se epidemia e koronavirusit do të zgjasë të paktën 4 muaj. Në një lidhje me skype për emisionin “360 gradë”, Pipero u shpreh se masat shtrënguese nga qeveria do të zgjasin deri në javën e dytë të prillit.
“Unë e kam thënë që në fillimet e kësaj epidemie që në opinionin tim, bazuar në indikatorë të rëndësishëm epidemiologjik, kjo epidemi së paku do të zgjasë 4 muaj. Ndërkohë masat shtrënguese të qeverisë do të zgjasin të paktën 4-5 javë nga koha e fillimit. Por duke iu referuar një epidemiologu të madh, në këtë situatë parashikime të sakta nuk ka. Unë mendoj se masat shtrëngese do të vazhdojnë deri nga java e dytë e prillit. Besoj fort që masat shtrënguese do të fillojnë të lirohet pas javës së dytë të prillit, sepse në logjikën e kësaj epidemie duhet që ne të quhemi të çliruar nga epidemia duhet së paku një muaj pa raste të reja nga rasti i fundit”, tha Pipero.
“Shifra reale e të infektuarve mund të jetë më shumë se 1500”
Pipero tha se shifra reale e të infektuarve në vendin tonë mund të jetë më shumë se sa 1500.
“Janë disa medikamente që japin optimizëm dhe japin rezultate, në trajtimin e pacientëve. Kemi disa anti viralë dhe anti parazitarë, të cilët kanë dhënë efekte, edhe shumë të mira, por edhe nuk kemi një medikament të certifikuar. Pas çdo rasti të konfirmuar fshihen 10-15 raste të tjera, kështu që shumëzoje me këtë shifër, dhe shifra reale mund të jetë më shumë se aq, vete 1500. Unë mendoj se janë më shumë se kaq”, tha Pipero.