Aktualitet Pipero ndryshon mendim për maskat: Nëse i vëmë që sot, numri ulet...

Pipero ndryshon mendim për maskat: Nëse i vëmë që sot, numri ulet me dy apo tre herë

Në një ditë me bilanc tragjik të viktimave nga koronavirusi në vend, me 4 jetë të humbura dhe me 93 raste të reja të koronavirusit, mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, pasi fillimisht i pati kundërshtuar, ka bërë apel për të gjithë qytetarët, për mbajtje me doemos të maskës dhe të ruajtjes së distancës.

“Mbyllja nuk është zgjidhje, është zgjedhje, më dëgjoni, ju lutem, zgjidhja në këtë moment është mbajtja e maskës kudo, edhe në rrugë, mbajta e distancës, dhe higjiena e duarve dhe ajo personale”- tha Pipero, në studion e “News 24”.

“Nëse sot vendosim maskën, të garantoj që për dy tre javë numri ulet me dy apo tre herë, më pak të infektuar, të sëmurë, të shtruar në spital dhe dy-tre herë më pak humbje jete. Në mirëkuptoni, ndonjëherë ndodh ta kemi thënë vonë, por asnjëherë nuk është vonë, për të marrë masa”- tha ai.

Sipas Pipero, mbajtja e maskës na mbron deri ne 95%, ndaj nuk duhet neglizhuar. Pyetur nëse dëmton mbajtja e maskes 8 orw gjate ditës, ai tha, se maska e thjeshte nuk krijon asnjë problem.

“Maska është e nevojshme aty ku nuk ruajmë dot distancën. Është e mërzitshme dhe e lodhshme mbajtja e saj por është zgjidhja e vetme që kemi për të mbrojtur jetën. Është parë si zgjidhje mjaft efektive. OBSH është një organizëm mbarëkombëtar dhe përgjegjës për shëndetin e globit. Udhëzimet e saj duhen zbatuar se bëhet fjalë për një virus që ka pasur shumë të panjohura. Ka pasur edhe keqkuptime. Gjithësesi unë si specialist në ISHP në parim jam kundër mbajtjes së maskë në rrugë. Për shkak të bashkëjetesës me këtë virus, unë them që maska duhet të bëhet e detyrueshme edhe në rrugë, pra ta kemi me vete atë për ta përdorur në ambientet e mbyllura, pra kudo që nuk ruajmë distancën, duhet të kemi maskën. Letra e fundit e shumë shkencëtarëve që thonë se COVID 19 qarkullon në ajër, më bën të mendoj që ta mbajmë edhe në rrugë. Kam qenë kundër, por ajo maskë na mbron. Është e vetmja zgjidhje sot. Dorezat nuk i rekomandojnë studimet. Ato e mbajnë më gjatë virusin nëse bie në kontakt me të. Njëlloj infektohemi nga dorezat nëse prekim me to sipërfaqe të infektuara”,- tha ai.

“S’po sillet si virus respirator”

Pipero deklaroi sot se koha ka treguar që Covid-19 nuk po sillet vetëm si virus respirator. Sipas tij, ne pacientet që janë trajtuar, ka raste që tregojnë se truri është i pari që goditet nga virusi.

Ai tha se Covid 19 sjell koagulimin e gjakut.

“Shkakton koagola në të gjithë trupin, kjo mund të sjellë infarkt të trurit, zemrës, probleme të mëlçisë. Ca thonë se dëmtimet që le në veshka janë të pariparueshme. Ajo që mund të them është se Covid 19 nuk po sillet si virus respirator. I pari dëmtohet truri, shkakton konfuzion mendor, të folurit përçart, jep pagjumësi, pra ndodh dëmtim i qelizës së trurit nga virusi. Kemi pasur tre raste pacientësh ku e kemi vërejtur një gjë të tillë, jep dëmtime të qelizave trunore”- tha Pipero.

Sipas tij, “kemi 6 apo 7 muaj me këtë virus nuk dimë për sa kohë organet ngelen të dëmtuara prej tij, nuk dimë edhe nëse lë apo nuk lë imunitet. Duhet të kalojnë 18 deri në 24 muaj që të kemi të dhëna më të qarta”.