Aktualitet Pipero: Njerëzit më mbajnë distancë, kujtojnë se kam Covid-19, edhe familjarët…

Pipero: Njerëzit më mbajnë distancë, kujtojnë se kam Covid-19, edhe familjarët…

Mjeku i njohur Pëllumb Pipero zbuloi sonte në emisionin “Open” se duke qenë se ai është shumë i ekspozuar me Covid-19 i është dashur që të ruaj distancën me familjarët e tij.

Sipas Piperos koha që qëndron pranë familjarëve është shumë e shkurtër.

Ndërkohë mjeku i njohur ka shtuar se edhe njerëzit në jetën e përditshme duke qenë se e dinë që ai shërben tek Infektivi i mbajnë distancë sikur të jetë i kontaminuar.

“Më ka ndodhur edhe mua. Më kanë kujdes se kujtojnë se kam koronën me vete. Që kujdes, mbaj distancën duke qenë se jam mjek. Normalisht që jam më i ekspozuar. Mos kujtoni se familjarët më rrinë shumë afër. Sigurish, koha e ekspozimit bashkë është vetëm disa minuta“, tha Pipero

“Është një situatë jo e këndshme por e domosdoshme për të qenë të kujdesshëm”, shtoi më pas mjeku i njohur.

“Epidemia aktualisht e butë, hapja është proporcionale me ecurinë e sëmundjes”

Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero mendon se situata është nën kontroll, sa i përket përhapjes së pandemisë së COVID-19 në vendin tonë. Ai tha se deri më tani ndihet krenar për reagimin e autoriteteve si edhe të shqiptarëve.

“Epidemia te ne është e qetë, është e butë aktualisht e gjithashtu në rënie progresive të qëndrueshme. Masat kane qenë adekuate, ashtu si edhe përkushtimi i bluzave të bardha. Por edhe përgjigja e qytetarëve ka qenë optimale.

Ne i jemi përgjigjur epidemisë në vendin tonë me masa adekuate dhe unë si mjek jam krenar për këtë. Hapja është proporcionale me ecurinë e epidemisë në vendin tonë. Do të thosha është pak e guximshme”, tha Pipero në emisionin “Open”.