Kulturë Pirateria/ Alda Bardhyli kërkon ndërgjegjësim kombëtar mbi pronësinë intelektuale

Pirateria/ Alda Bardhyli kërkon ndërgjegjësim kombëtar mbi pronësinë intelektuale

Shqipëria hyn në vendet ku pronësia intelektuale është ende e rrezikuar. Prej vitesh tregu i librit është i prekur nga informaliteti dhe pirateria.

Referuar këtij problemi, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, bashkë me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, organizuan sot një tryezë diskutimi me temë “Libri përballë informalitetit”, ku ishin të pranishëm disa prej botuesve më të rëndësishëm shqiptarë, si: Petrit Ymeri, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës së Botuesve, Flutura Açka, Gëzim Tafa, Irena Toçi, Jani Malo, Arlinda Dudaj, Anila Bisha, Genti Gjonaj dhe botimet “Pegi”. I pranishëm ishte edhe drejtori i Pronësisë Intelektuale pranë Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, Neritan Frashëri.

“Trashëgimia intelektuale është një pasuri e patjetërsueshme në jetën e një vendi, ndaj QKLL-ja është e angazhuar për të punuar që t’i japë më shumë vizion dhe dinjitet autorit shqiptar. Ky takim sot, por edhe takimet e mëparshme, na kanë bërë të reflektojmë mbi këto problematika, duke e parë partneritetin mes përfaqësuesve direkt të kësaj çështjeje, si botuesit, autorët, zyra e së drejtës së autorit, Inspektoratit të Mbikqyrjes së Tregut, si thelbësor për ndërgjegjësim, duke vënë në zbatim Ligjin për të Drejtën e Autorit, por edhe duke menduar për një rishikim të problematikave, të cilat mund të reflektoheshin më fort në ligj”, u shpreh drejtorja e QKLL-së, Alda Bardhyli.

Sipas saj, hapi i parë konkret ka të bëjë me ndërgjegjësimin, por dhe me marrjen e masave që do të çonin në ndëshkueshmërinë e gjithë atyre që tjetërsojnë pronën intelektuale.

Petrit Ymeri, duke i njohur më në brendësi problematikat e shprehura edhe nga kolegët e tjerë botues, u shpreh se sektori i editorisë në Shqipëri është një sektor ku po spekulohet shumë dhe është gjithnjë i pambrojtur përballë piraterisë.

Ai ngriti në këtë tryezë problemin e fotokopjimit pa leje të librave pranë fakulteteve, botimi i librave pa të drejtën e autorit dhe piratimi nga persona të dytë i veprave, të cilët i shesin nëpër tezga, skanimi i librave pa leje dhe nxjerrja e tyre në faqet e internetit, të cilat ua shesin lexuesve kundrejt një pagese. Ymeri u shpreh se për këto probleme janë bërë disa sinjalizime kundrejt institucioneve përkatëse.

Ndërkohë, Neritan Frashëri tha se Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut është vënë në dijeni për këto problematika dhe është ngazhuar në zgjidhjen e tyre, edhe pse terreni i veprimit ka qenë i vështirë, por që janë marrë masa serioze për rinisjen e punës. Ai u shpreh se një prej gjërave më të rëndësishme, e cila ndihmon në zgjidhjen e këtyre problematikave, është edhe ndërgjegjësimi i vetë shoqërisë ndaj fenomeneve të tilla, të cilat duhen trajtuar si vepra penale të dënueshme.

Në fund të këtij takimi, u ra dakord që të gjitha palët, institucionet, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe vetë botuesit, të bashkëpunojnë, duke bashkërenduar punën e tyre, deri në ndërgjegjësimin dhe zgjidhjen e këtyre problematikave.

“Bashkë me Inspektoratin e Mbikëqyrjes së Tregut dhe ky një institucion i ri, kemi nisur të bashkëpunojmë, referuar dhe ndryshimeve të fundit të Ligjit 9947 ‘Për Pronësinë Industriale’. Mbrojtja e Pronësisë intelektuale është një prioritet kombëtar, ndaj dhe bashkëpunimi ynë është parësor në këtë luftë të përbashkët”, tha Bardhyli.