Sport Pjanic: Sarri nuk kishte besim te futbollistët, pas shortit të Champions më...

Pjanic: Sarri nuk kishte besim te futbollistët, pas shortit të Champions më shkroi edhe Agnelli

Miralem Pjanic u largua nga Juventusi këtë verë, për t’u transferuar te Barcelona në kampionatin spanjoll, por shorti i Ligës së Kampionëve do ta rikthejë boshnjakun sërish në Torino këtë të mërkurë, pasi katalanët do të përballen me kampionët e Italisë në “Allianz Stadium”.

Në prag të kësaj përballjeje, Pjanic ka dhënë një intervistë të gjatë për torinezen “Tutto Sport” , ku ka folur për raportet me Sarrin dhe pjesën tjetër të klubit bardhezi, diferencën mes Messit e Ronaldos dhe vështirësitë e fillimit me Barcelonën.

Sipas jush, pse u shkarkua Sarri?

Ai është një trajner profesionist dhe shumë i zoti. Këtë e them pa as më të voglin dyshim, por e vërteta është se ai nuk krijoi asnjëherë besim te ne futbollistët. Mund të mos jesh dakord me një apo dy futbollistë, por nuk mund të vësh në dyshim impenjimin e të gjithë skuadrës, pasi bëhej fjalë për një ekip me futbollistë profesionistë, që japin maksimumin për të arritur objektivat e tyre dhe të klubit. Kjo është ajo shkëndija që presidenti Agnelli tha se nuk lindi mes grupit të lojtarëve dhe Sarrit.

E kishit menduar se do të përballeshit kaq shpejt me Juventusin?

E kisha menduar dhe kur po shihja shortin, kisha një parandjenjë të fortë që do të ishim në grup me Juventusin. Jam shumë i lumtur që do të rikthehem të luaj kundër miqve të mi dhe ndaj një klubi që e mbaj në zemrën time. Menjëherë pas shortit kam marrë shumë mesazhe nga shokët e mi te Juventusi, por edhe nga presidenti Agnelli, që më shkruante “Mirësevjen në shtëpi”. Është një kënaqësi, aq më tepër kur mendon se është më mirë të përballemi tani me Juventusin, sesa në një finale.

Si po shkon eksperienca te Barcelona?

Ka ardhur një trajner i ri dhe të gjithë po punojmë shumë për t’u përshtatur me idetë e tij për lojën në fushë. Duhet të gjejmë ekuilibrin në fushë dhe për këtë jemi të përqendruar, ndonëse mund të them se e kemi nisur mirë. Është një grup me shumë futbollistë cilësorë dhe të gjithë do të kenë mundësinë të japin kontributin e tyre, pasi sezoni është i gjatë dhe shumë impenjativ. Synimi është të kemi përthithur plotësisht idetë tekniko-taktike të trajnerit për periudhën shkurt-mars, kur edhe gjërat bëhen më vendimtare.

Keni luajtur me Ronaldon dhe tani luani me Messin. Si mund t’i përshkruani ata të dy?

Messi është mpresionues dhe e kam të vështirë ta përshkruaj. Kur sheh disa gjeste teknike të tij në ndeshje, të duken si prej jashtëtokësori, por kur stërvitesh me të, kupton që ato janë veprime normale të Messit. Sa herë që ai ka topin, do të ndodhë patjetër diçka dhe të mahnit me lehtësinë që kryen veprimet teknike si në fushë, ashtu edhe në stërvitje. Nga ana tjetër Ronaldo është një kampion absolut, një punëtor i jashtëzakonshëm që kujdeset për të gjitha detajet. Është një futbollist fitues dhe këtë e ka demonstruar kudo ku ka luajtur, por mund të shtoj se është edhe i fiksuar pas statistikave, golave, e detajeve të tjera.

Si e sheh aventurën e Pirlos në pankinën e Juves?

Jam shumë i lumtur për të, pasi ka dhënë shumë futbollit si lojtar dhe tani është gati të bëjë një rrugëtim po aq të lavdishëm edhe si trajner, ndonëse besoj se i di mirë vështirësitë e atij profesioni. Megjithatë te Juventus ka gjetur një grup të bashkuar dhe të uritur për të fituar gjithmonë, ndaj sidomos senatorët, janë gjithmonë aty për t’i dhënë një dorë dhe për ta ndihmuar ta nisë barë këtë rrugëtim të ri.