Politika Pjesëmarrja në votime, Partia Demokratike kundër shifrave të KQZ

Pjesëmarrja në votime, Partia Demokratike kundër shifrave të KQZ

Partia Demokratike ka kundërshtuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me shifrat e paraqitura prej këtij institucioni përsa i përket pjesëmarrjes në votime.

KQZ deklaroi se deri në orën 15:00 kanë marrë pjesë në votime 15% e popullsisë, por Sekretari për Zgjedhjet në PD, Ivi Kaso, tha se në të vërtetë deri në këtë orë kanë votuar vetëm 10% e popullsisë.

“Operacioni më i madh që po kryen Rama sot është falsifikimi. KQZ është në krye të këtij operacioni, duke mashtruar për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar. Pjesëmarrja faktike ka qenë 6% deri në orën 11:00. Pjesëmarrja deri në orën 15:00 është 10%. KQZ është një vegël e paligjshme në duart e Ramës”, u shpreh Kaso.

“Partia Demokratike paralajmëron kamikazët politikë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos i shkojnë deri në fund planit për falsifikimin e pjesëmarrjes. Lojërat e pista me telefona të prishur nxjerrin zbuluar paligjshmërinë e kësaj KQZ-je me 4 anëtarë të PS-së në shkelje të ligjit. Arsyeja se pse KQZ nuk evidenton, ndalon dhe raporton shkeljet flagrante të ligjit, që nga votuesit shëtitës që votojnë disa herë, deri tek komisionet e votimit me nga 1 anëtar që mbushin kutitë e votimit, që nga votimi në grup deri tek votimi i hapur, raste të gjitha të denoncuara nga media, është sepse KQZ-ja është një vegël e paligjshme në duart e Edi Ramës dhe në shërbim të farsës së gatuar prej tij. Megjithëse vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron dhe vetë shpall rezultatin, paniku i Edi Ramës duket qartë. Asgjë dhe askush nuk mund ta fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij”, shtoi Kaso.