Histori Plaçkitja e Romës, pansllavizmi, Republika Italiane: Çfarë ka ndodhur më 2 qershor?

Plaçkitja e Romës, pansllavizmi, Republika Italiane: Çfarë ka ndodhur më 2 qershor?

455 – Plaçkitja e Romës: Vandalët hyjnë në Romë dhe plaçkisin qytetin për dy javë, duke shkulur altare dhe deri statujat e perëndive, përfshi Jupiterin. Por shkatërrime shtëpish e pallatesh nuk pati. Kjo ishte plaçkitja e katërt që banorët e Romës provonin nga këto fise. Vandalët ishin fise gjermanike të lindjes. Termi “Vandilii” është përdorur nga Taciti në librin ‘Germania’. Fillimisht ata u vendosën midis lumenjve Elba dhe Vistula; në vitin 330, Konstandini i madh u dha toka në Pannonian ilire, në bregun e djathtë të Danubit – me shpresë se nuk do të synonin të hynin në thellësi të trojeve të perandorisë romake.

1098 – Kryqëzata e parë: Rrethimi i Antiokit përfundon ndërsa forcat e kryqëzatës marrin qytetin, pas një rrethimi që zgjati 7 muaj. Objektivi i ardhshëm i kryqtarëve ishte Jeruzalemi. Marrja e Jeruzalemit ndodhi në verën e vitit tjetër, 1099. Mbretëria e Jeruzalemit u krijua. Por kjo nuk u dha fund kryqëzatave, ndërsa kryqtarët kërkonin largimin e muslimanëve jo vetëm nga Jeruzalemi, por nga gjithë rajoni – Kryqëzatë e dytë do të ndërmerrej në vitin 1147.

1848 – Në Pragë, hapet Kongresi sllav. Kjo mendohet të jetë hera e parë që përfaqësues nga të gjithë sllavët e Evropës Qendrore mblidhen në një takim. Kongresi kishte për qëllim të bëhej një shfaqje e qëndresës sllave ndaj nacionalizmit gjerman. Kongresi i Pragës, thonë historianët, shënon fillimin e pansllavizmit që krijoi një lloj identitetit kombëtar sllav përballë nacionalizmit gjerman në rritje.

1876 – Kristo Botev, poet bullgar, hero kombëtar i luftës kundër osmanëve, vritet në Stara Planina. Lindur më 1848, Botev u shkollua në Rusi; u kthye në Bullgari në vitin 1867, pastaj iku në Rumani. Atje iu përkushtua lëvizjes çlirimtare bullgare nëpërmjet veprimtarisë organizative, gazetareske, letrare, etj. Një përmbledhje me Këngë dhe Vargje të tij, u botua në vitin 1875. Në maj 1876, Botev kthehet në Bullgari në krye të një çete luftëtarësh – vritet pak ditë më vonë nga forcat osmane – disa thonë u vra në rrethana të dyshimta, ndoshta gjatë një grindjeje brenda çetës së tij.

1886 – Presidenti amerikan Grover Cleveland martohet me Frances Folsom në Shtëpinë e Bardhë, duke u bërë presidenti i vetëm që martohet në rezidencën ekzekutive.

1904 – Në Freidorf, pranë Timisoarës, Rumani, lindi Johnny Weissmuller. Erdhi në Amerikë kur ishte 3 vjeç; u rrit në xhungël asfalti të Çikagos, për të arritur kulmin e famës në xhungël tropikale; luajtur rolin e Tarzanit më shumë se çdo aktor tjetër gjatë dekadës të filmave Tarzan (1932 – 1942). Para se të bëhej yll në Hollywood, Weissmuller kishte qenë një atlet yll – fitues i 5 medaljeve ari në not në Lojrat Olimpike 1924 dhe 1928. Vdiq më 1984 në Akapulko, Meksikë, ku ndodhej për të xhiruar një film të fundit. Përcjellja në varr u shoqërua me 3 britmat e tij karakteristike nga filmi Tarzan – Kjo ishte një nga porositë që la para se të vdiste.

1896 – Guglielmo Marconi aplikon për një patentë për shpikjen e tij më të re, radion. Markez Guglielmo Marconi (1874 – 1937, shpikës italian; zhvilloi sistemin e telegrafisë, dhe ndau çmimin Nobel për Fizikë më 1909 me fizikantin Karl Ferdinand Braun për kontributin në këtë teknologji. Ishte përkrahës i ideve fashiste dhe i mbrojti ato. Vdiq më 1937.

1910 – Charles Rolls, bashkë-themelues i firmës Rolls-Royce, bëhet njeriu i parë që kryen kalimin e dyfishtë të kanalit anglez me aeroplan.

1924 -Presidenti amerikan Calvin Coolidge nënshkruan në ligj Aktin për dhënien e shtetësisë të gjithë amerikanëve autoktonë (indigjendë a indianë) të lindur brenda kufijve të Shteteve të Bashkuara.

1946 – Lindja e Republikës Italiane: Në një referendum, italianët votojnë për ta kthyer Italinë nga një monarki në Republikë. Pas referendumit, Mbreti Italian Umberto II ikën në mërgim.

1955 – Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia nënshkruajnë deklaratën e Beogradit për normalizimin e marrëdhëniet të ndërprera që nga viti 1948.

1962 – “Beteja e Santiagos” është emri që iu dha ndeshjes së futbollit Kili – Itali për kualifikim në kampionatin botëror 1962. Policisë iu desh të ndërhyjë shumë herë për të ndalur përleshjet në fushë mes lojtarëve kilianë dhe italianë në një nga lojërat më të dhunshme në historinë e futbollit. Arbitër ishte britaniku Ken Aston, i cili më vonë do të shpikte kartonin e verdhë dhe të kuq për të dënuar lojtarët në raste të ngjashme dhune në lojë. Ndeshja përfundoi 2–0 për Kilin, ndërsa shtypi botëror do ta cilësonte ngjarjen si shfaqjen më idiote, më të tmerrshme, më të neveritshme dhe më të turpshme në historinë e futbollit.

1979 – Papa Gjon Pali II fillon vizitën zyrtare në atdheun e tij, Poloni, duke u bërë Papa i parë që lejohej të vizitonte një vend komunist.

1979 – SHBA; Komisioni i Përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve (HSCA) lëshon raportin përfundimtar mbi vrasjen e presidentit Xhon Kenedi (1963). Raporti thotë se vrasja “mund të ketë qenë” rezultat i një komploti, por komisioni nuk ishte në gjendje për të përcaktuar motivet dhe pjesëmarrësit në të. Hapja e dosjeve të HSCA-së në vitet 1990, ofroi argumente për përkrahësit e teorisë të komplotit, se komisioni nuk kishte përfillur dëshmitë mjekësore, si dhe lidhjet e Lee Harvey Oswaldit me agjenci zbulimi; dhe udhëtimin e tij misterioz në kryeqytetin meksikan para se të ndodhte vrasja e Kenedit – Historianë thonë se vrasja e Oswaldit vetëm dy ditë pas vrasjes së Kenedit, la pa përgjigje shumë pyetje.