Aktualitet Planet për resort në anën malazeze të Liqenit të Shkodrës shqetësojnë eurodeputetët

Planet për resort në anën malazeze të Liqenit të Shkodrës shqetësojnë eurodeputetët

Parlamentarët Europianë shprehën shqetësimin e tyre të hënën për planin e qeverisë malazeze për të miratuar një “eko-resort” në Liqenin e Shkodrës, plane që kanë çuar në protesta nga ambientalistët të cilët kanë frikë se kjo do të kërcënonte ekosistemin dhe speciet e rralla të parkut kombëtar.

Pasi një grup OJQ-sh, mbështetur nga disa organizata ndërkombëtare, nisën një peticion për shpëtimin e Liqenit të Shkodrës, duke i kërkuar qeverisë moratorium të menjëhershëm të ndërtimeve të reja brenda parkut kombëtar të liqenit, disa deputetë të PE i kërkuan qeverisë në Podgoricë të ndërmarrë masa për mbrojtjen dhe konservimin e liqenit në mënyrë që të ruhen karakteristikat ekologjike të tij.

Ndryshimet e rezolutës së Parlamentit Europian mbi Malin e Zi, të debatuara të hënën, e nxitën qeverinë të sigurojë se projekti për një resort me pesë yje nuk do të ketë asnjë ndikim negativ në mbrojtjen e parqeve kombëtare në Malin e Zi.

Një ndryshim i paraqitur nga një deputete nga Kroacia, Zeljana Zovko, shprehu shqetësim të thellë rreth kërcënimeve ndaj integritetit ekologjik dhe vlerës eko-turistike të Parkut Kombëtar të Liqenit të Shkodrës përballë projektit Porto Liqeni Shkodrës, siç ka marrë emrin projekti me vlerë 75 milionë euro.

Planet për ndërtimin përfshijnë një hotel, 30 vila luksoze me pishina, restorante, porte dhe një qendër tregtare. Vendndodhja e tij është buzë liqenit të Shkodrës dhe lumit Crnojevica, që është liqeni më i madh me ujë të ëmbël në Ballkan dhe ndahet mes Malit të Zi dhe Shqipërisë fqinje.

Disa projekte hidroenergjetike planifikohen gjithashtu në degën më të madhe të liqenit, lumin Moraca, që sipas mjedisorëve mund të rrezikojnë më shumë biodiversitetin.

Një mocion nga eurodeputetët Ulrike Lunacek, Terry Reintke, Igor Soltes ne emër të grupit Verts/ALE në Parlamentin Europian, shprehu shqetësim rreth “zhvillimit të paqëndrueshëm hidroenergjetik”, veçanërisht në lidhje me planet e zhvillimit mbi lumin Moraca.

Liqeni i Shkodrës mori statusin e parkut kombëtar në 1983 dhe është i mbrojtur nga Konventa Ramsar që nga 1996.

Ai është i njohur për biodiversitetin, ku 281 shpendë, 50 gjitarë dhe 48 peshq dhe një rezervat të rëndësishëm ligatinash për shpendët në veçanti për pelikanin Dalmatian.

Grupet mjedisore vendase thanë se ndërtimi i një “eko-rezorti” në brigjet e tij dhe disa projekte hidroenergjetike mbi degën kryesore Moraca do të dëmtojnë biodiversitetin dhe speciet endemike që nuk gjenden në vende të tjera.

Në një studim të publikuar të premten, organizata Green Home vuri në pikëpyetje reputacionin e investitorit, duke pretenduar se nuk është e mundur të besohet se projekti do të ndjekë standardet më të rrepta europiane apo se do t’i sjellë begati banorëve të zonës.

Investitori këmbënguli se ka kryer studime mbi ndikimin në mjedis, duke premtuar se disa nga përfitimet do të përdoren për të mbajtur zonën të pastër.

Qeveria e Malit të Zi gjithashtu hodhi poshtë akuzat, duke thënë se të gjitha procedurat “ishin sipas ligjit”.

Një leje ndërtimi iu dha investitorit sipas ligjit, shtoi qeveria, dhe për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, kërkime shtresë do të kryhen në zonë./Birn