Bota Plani ambicioz i Johnson: Të gjithë të rriturit do jenë vaksinuar deri...

Plani ambicioz i Johnson: Të gjithë të rriturit do jenë vaksinuar deri në korrik

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka deklaruar se të gjithë të rriturit në vend do të marrin të paktën një dozë të vaksinës deri në fund të korrikut, në mënyrë që të zbutet presioni mbi spitale dhe të nisë izolimi

Më shumë se 17 milionë persona kanë marrë ilaçin që kur nisi administrimi i saj në dhjetor 2020.

Por, Boris Johnson thotë se ai do tani që programi të shkojë më tej dhe të ecë më shpejt. Ai tha se objektivi i korrikut do të mundësonte që personat më vulnerabël të mbroheshin më shpejt dhe do të çonte edhe në zbutjen e rregullave të izolimit në vend.

Drejtuesit e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit thanë se kishte shenja të qarta që vaksinimi po kontribuonte në rënien e shtrimeve në spitale.

Kryeministri do të zhvillojë bisedime të tjera me anëtarët e kabinetit para se të shpalosë planin e plotë të hënën. Imunizimi i shpejtë i personave që konsiderohen vulnerabël cilësohet kritik për reduktimin e bilancit të viktimave nga koronavirusi si edhe për zbutjen e presionit mbi shërbimin kombëtar shëndetësor në Britaninë e Madhe.

Objektivi i mëparshëm i qeverisë ishte që të gjithë të rriturit të merrnin dozën e parë të vaksinës deri në shtator.

Plani i ri ndërkohë bën që deri më 15 prill, të gjithë të rriturit mbi moshën 50 vjeç, si edhe të rinjtë me kushte ekzistuese shëndetësore që i vendosin ata në rrezik, të kenë marrë dozën e parë.