Opinione Plani i Putin për një pension të pjesshëm

Plani i Putin për një pension të pjesshëm

Alexander Baunov*

Nuk do të ketë një Vladimir Putin të dytë. Presidenti rus dërgoi shumë mesazhe në fjalimin e tij drejtuar vendit më 15 janar, disa prej tyre të paqarta dhe të bëra objekt debati nga njohësit e mirë të Kremlinit. Por lëvizja ishte e qartë. Askush nuk do të ketë aq shumë fuqi kushtetuese sa ka shijuar Putini që nga viti 2000 në katër mandatet e tij si udhëheqës rus – ose në të vërtetë të jetë në gjendje të shërbejë për katër mandate siç ka bërë Putin.

Putin tani ka shtruar rrugën për ndryshimet që pret të bëhen në Rusi në 2024, viti kur ai mbaron mandatin e tij aktual dhe me siguri të fundit. Është një panoramë vazhdimësie, në të cilën Putin ende mund të mbajë rolin kryesor, edhe nëse jo domosdoshmërisht më i spikaturi në publik. Ndryshimet e planifikuara në kushtetutë do të kufizojnë fuqinë e presidencës ruse dhe gjithashtu përcaktojnë se vetë Putin nuk do të ketë të drejtë të kandidojë për president në 2024.

Kjo nuk do të jetë një përsëritje e rastit të viteve 2008-2012, kur Putin mori detyrën e kryeministrit dhe Dmitry Medvedev shërbeu katër vjet si president. Putin ishte dukshëm i pakënaqur nga përvoja e asaj “tandemokracie”, siç është cilësuar ndonjëherë, dhe nga fakti se shpesh ai nuk kishte kompetencat e nevojshme për të kontrolluar plotësisht “nxënësin” e tij, Medvedev.

Sipas ndryshimeve të planifikuara, që u bënë publike të mërkurën, parlamenti i Rusisë tani do të emërojë kryeministrin dhe qeverinë. Presidenti do të ketë fuqinë për të refuzuar emërimin. Në thelb, mbajtësit e dy vendeve të tjera kryesore të shtetit, presidenti dhe kryeministri, do t’i kenë krahët e lidhur dhe nuk do të jenë aq të fuqishëm sa janë për momentin. E gjithë kjo do të miratohet nëpërmjet një referendumi, duke u vënë kështu ndryshimeve vulën e legjitimitetit publik.

Një forcë e tretë, Këshilli i Shtetit – aktualisht një organ këshillimor me pak peshë në Kremlin – do të ketë një rol të ri të zgjeruar mbi të gjithë, megjithëse Putin ishte i rezervuar për atë se cilat do të jenë fuqitë e tij të reja. “Do të kishte kuptim forcimi i statusit dhe roli i Këshillit të Shtetit në Kushtetutën e Rusisë”, ishte gjithçka që tha Putin të mërkurën. Pra, duket më shumë se e mundshme që Putini do të marrë detyrën e kryetarit të këshillit, pasi të ketë çuar në fund mandatin aktual, i fundit që i lejon Kushtetuta.

Rusisë do t’i duhet ende një figurë presidenciale, një kryetar i ri i shtetit me fuqi të konsiderueshme, veçanërisht në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë. Kë synon Putin dhe ekipi i tij si figura që do ta plotësojnë atë rol në vitin 2024? Ndoshta jo kryeministri i ri, Mikhail Mishustin, i cili shihet gjerësisht si thjesht një teknokrat. Mishustin mund të ngrihet në rolin e presidentit, megjithatë, siç bëri vetë Putini më shumë se 20 vjet më parë, kur edhe ai vetë ishte më shumë burokrat sesa politikan. (Është e rëndësishme të theksohet këtu që Mishustin, pasi ka drejtuar me sukses shërbimin e taksave të Rusisë, një organ që merret me mbledhjen e të ardhurave dhe zbatimin e ligjit, është gjysmë-ekonomist, gjysmë zyrtar i sigurisë.)

Një tjetër ndryshim i njoftuar të mërkurën ishte se drejtuesit e rajoneve të Rusisë do të marrin fuqi të shtuar. Ka shumë gjasa që kandidati për president të ardhshëm të dalë nga radhët e tyre. Tashmë janë përmendur disa pretendentë, mes tyre dy zyrtarë të sigurisë që i shërbyen Putinit në Kremlin, që tani janë guvernatorë: Alexey Dumin, i cili kryeson rajonin e Tulës, dhe Dmitry Mironov, guvernatori i Yaroslavl.

Në pamje të parë, njoftimi i së mërkurës ishte një poshtërim për Medvedev, numri 2 i përhershëm në politikën ruse, i cili shërbeu katër vjet si president pasi Putin kishte përfunduar dy mandatet e tij të para, dhe tani ka përfunduar tetë vjet të tjera si kryeministër. Puna e tij e re, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë, duket si një ulje e rëndësishme në pozitë. Por në fakt, kreu i Këshillit të Sigurisë nuk është askush tjetër përveç vetë Putinit, kështu që Medvedev thjesht po mban rolin e tij numër 2 në një tjetër institucion.

Në konfigurimin e ri kushtetues, më i ndërlikuar se i deritanishmi, Këshilli i Sigurimit i Kremlinit (që të mos ngatërrohet me Këshillin e Shtetit) pritet të ketë një rol më të rëndësishëm si arbitër i mosmarrëveshjeve dhe qendër e vendimmarrjes strategjike. E stërvitur nga rrethi i ngushtë i Putinit, Byroja personale politike e Putinit ka gjasa ta kryejë këtë funksion gjatë katër viteve të ardhshme. Pra, duke qenë zëvendësi i Putinit në atë organ, Medvedev e mban funksionin e tij si opsion të zmbrapsjes për president – një mundësi rezervë, nëse, siç ndodh shpesh në politikën ruse, gjërat shkojnë keq. Medvedev është një opsion i sigurt, por jo shumë frymëzues për sa i përket Putinit, pasi i mungon popullariteti publik.

Liderit kryesor të opozitës së Rusisë, aktivistit antikorrupsion, Aleksei Navalni, iu dha gjithashtu një mesazh: që ai as nuk do të lejohet të garojë. Një tjetër ndryshim kushtetues i propozuar përcakton se çdo president i ardhshëm duhet të ketë jetuar në Rusi për 25 vjet pa ndërprerje dhe të mos ketë pasur kurrë një pasaportë të huaj ose leje qëndrimi. Kjo duket se do ta skualifikojë Alexei Navalny-n, i cili ka studiuar në Shtetet e Bashkuara, në Universitetin Yale në 2010. Për më tepër, ky kriter do të përjashtojë figura të tjera pro-perëndimore në elitën ruse që kanë studiuar ose punuar në Perëndim. Atdhetarët rusë që përbëjnë bazën e grupit të Putinit u vjen për shtat ky kriter.

Në përgjithësi, fjalimi i Putinit supozohet të krijojë tonin e “këngës së mjellmës” për vitet e mbetura të presidencës së tij. Mesazhi i dërguar publikut është se përpjekjet titanike të Putinit për të rindërtuar Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik e kanë arritur qëllimin e tyre, dhe se nuk ka nevojë për asnjë person tjetër që ta mbajë barrën e udhëheqjes së vendit. Rolet ekzekutive do të ndahen. Nëse kërkojmë një paralele në historinë ruse, duhet të kthehemi në vitin 1953, kur një udhëheqje kolektive ishte në krye të Bashkimit Sovjetik për disa vjet pas vdekjes së Stalinit.

Për më tepër, kushtetuta e ndryshuar rishtazi do të bëjë që ligji rus të jetë parësor, që do të thotë se vendi nuk do të kufizohet më nga detyrimet ligjore të huaja nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Këshilli i Evropës, i cili ka qenë ngacmues për qeverinë ruse për vite me radhë, duke mbështetur ankesat për të drejtat e njeriut, në veçanti nga Çeçenia. Kjo do të thotë fund i praktikës së të huajve që udhëzojnë qeverinë ruse të ndryshojë sjelljen ndaj qytetarëve të saj, u thotë Kremlini rusëve.

Nga brenda, Rusia imagjinohet si një kafaz i praruar: i mbrojtur fort nga jashtë, por i fortë dhe i shëndetshëm nga brenda. Elita e sigurisë, të ashtuquajturat siloviki me prejardhje nga KGB-ja dhe shërbime të tjera të inteligjencës njësoj si vetë Putin, mbajnë rolin e tyre të deritanishëm si mbrojtës të shtetit kundër ndërhyrjes së huaj. Kapitalizmi dhe tregu i lirë mbeten, por qëllimet e rritjes ekonomike dhe modernizimit teknologjik u besohen teknokratëve qeveritarë.

Në vitin 1999, Boris Jelcin, i mbështetur nga kundërshtarët vendas, mori më të mirën prej tyre dhe emëroi një figurë relativisht të panjohur, Vladimir Putin, si kryeministrin e tij dhe më pas pasardhës eventual. Jelcin dha dorëheqjen më herët seç ishte parashikuar, dhe Putin e fitoi lehtë postin e ri. Tani vetë Putin nuk sheh ndonjë kërcënim brenda vendit, por ka frikë nga armiqtë jashtë vendit. Rrethi i tij i brendshëm ende ka frikë se Perëndimi mund të përdorë institucionet e mbetura politike si një armë kundër tij. Duke vendosur rregullat për tranzicionin e pushtetit në vitin 2024 dhe duke i shpallur këto ndryshime kushtetuese kaq herët, ai po përpiqet t’i dalë përpara lojës dhe të mbajë larg armikun e tij më të fuqishëm: Perëndimin.

*Foreign Policy