Bota Plani i Trump për të ndaluar 92 milionë komunistët kinezë të futen...

Plani i Trump për të ndaluar 92 milionë komunistët kinezë të futen në SHBA

Donald Trump po merr në konsideratë të lëshojë urdhër për ndalimin e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara për të gjithë 92 milionë anëtarët e Partisë Komuniste të Kinës, ose 7% të popullsisë së vendit, zbuloi gazeta amerikane “New York Times”, e cila citon 4 burime nga brenda stafit që po diskuton këtë çështje.

Në një shenjë të mëtejshme të përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve, nëse urdhri ekzekutiv firmoset nga presidenti, do të sjellë edhe heqjen e vizave dhe si rrjedhojë largimin e shtetasve kinezë që janë anëtarë partie, dhe familjarëve të tyre, nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas burimeve, urdhri ekzekutiv është ende në formën e draftit dhe mbi të po punohet, por në fund edhe mund të mos firmoset fare nga Trump.

Të mërkurën, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës tha që, nëse zërat janë të vërtetë, atëherë veprimi do të përçmohet si krejtësisht patetik.

Administrata Trump thotë që Partia Komuniste e Kinës duhet të ndëshkohet për veprimet që ka kryer në muajt e fundit, duke u përpjekur të fshehë shpërthimin e koronavirusit, por edhe ngritjen e kampeve të internimit për komunitetin ujgur dhe miratimin e një ligji të ri për sigurinë në Hong Kong.