Bota Plani i Makronit për Europën është tërheqës, por…

Plani i Makronit për Europën është tërheqës, por…

Shpërndaje

Timothy Garton Ash

Franca është kthyer në lojë, energjike, e qartë, ambicioze! Urra! Por kush tjetër po ofron gatishmëri për ta çuar Europën përpara? Italia po pëson krizë nervore, Spanja ka problemet e brendshme, Polonia lëkundet, Britania është duke ikur, ndërsa Gjermania ka zënë  vend në divan e nuk lëviz. Vërtet familje e çakorduar!

Po le të merremi pak me lajmet e mira. Makroni po shpreh një vizion koherent për të rimëkëmbur Europën, ndërkohë që në shtëpi po vë përpara reforma që duhej të ishin vendosur prej kohësh. 12 muaj pasi mori mandatin 5-vjeçar, ai ka përdorur shumicën në parlament dhe fuqinë  e presidentit, të garantuar nga Sharl Dë Gol,  për të çuar përpara reforma të rëndësishme. Qeveria e tij po shqyrton atë që gazeta “Le Figaro” e qyan “program të gjerë” për të ulur shpenzimet publike me rreth 100 miliardë euro deri në fund të mandatit. Grevat e trenave po e bëjnë qarkullimin pak të vështirë në Paris, por protestat kanë qenë modeste deri tani, të paktën sipas standardeve franceze. Nëse ekonomia e Eurozonës vazhdn të rritet (dhe me krizën e Italisë, ajo ‘nëse’ është edhe më e madhe), Franca jo vetëm që mund të ketë rritje ekonomike, por edhe më shumë vende pune.

Ndërkohë, Makroni ka shprehur një vizion tërheqës për të ardhmen e BE-së, nëpërmjet fjalimeve të mëdha, të hartuara me kujdes, të cilat i ka mbajtur në Athinë, në Parlamentin Europian, në Sorbonë dhe teksa po pranonte çmimin Charlemagne në Aachen, ku e dëgjova për herë të parë. Kombinimi i kthjelltësisë së tij historike, ambicia strategjike dhe pasioni personal më duken vërtet mbresëlënëse. Në krahasim me konkurrencën e dobët që ka mes udhëheqësve të tjerë në Europë, e madje në të gjithë Perëndimin, ky burrë shtat-imët është i vetmi gjigant që kemi.

Pika me të cilën e nis fjalimin është shumë realiste. Ndryshe nga klishetë e tjera të Brukselit, ai këmbëngul që Europa nuk ka pasur 70 vite paqeje dhe lirie (mendoni ish-Jugosllavinë, Ukrainën), dhe se gjithçka që është arritur, tani është nën kërcënim. Nuk e kemi luksin të harrojmë se ç’kanë hequr brezat e mëparshme të europianëve. Po të mos bëjmë kujdes, rrezikojmë të futemi me sytë mbyllur në mes të një tjetër tragjedie.

Prandaj, nevojitet sovranitet europian. Kjo është ideja e tij kryesore, që me zgjuarsi arrin të marrë termin “sovranitet” larg euroskeptikëve si Fronti Kombëtar i Le Pen, dhe mbështetësve britanikë të Brexit. Ajo që do të thotë me këtë është të kesh fuqinë për të mbrojtur interesat dhe vlerat e përbashkëta kundër kërcënimeve të brendshme që sjell populizmi nacionalist, dhe rreziqet e jashtme që vijnë nga Kina, Rusia, ndryshimet klimatike, emigrimi në masë, revolucioni dixhital, pa përmendur Donald Trump. Në një botë gjigantësh, Europa duhet të jetë po ashtu gjigante, përndryshe do të shkelet me këmbë. Dhe nuk duhet të trembemi para peshave të rënda. Forca, europianë! Forca!

S’është e thënë të biesh dakord me çdo propozim të tijin për të reformuar eurozonën, pa të duartrokasësh vizionin që ka. Problemi është që ai s’e bën dot vetëm këtë dhe s’ka asnjeri tjetër që t’i bashkohet. Problemi më urgjent është Italia; më e rëndësishmja është Gjermania.

Me krizën italiane, të gjitha problemet e trashëguara në eurozonë, që tashmë ngjan me një ngrehinë e papërfunduar,  vihen përsëri në qendër të vëmendjes. Teorikisht, kjo situatë duhet ta përforcojë çështjen e Makronit për të reformuar eurozonën. Në praktikë, do të forcojë idenë e gjermanëve “të mos përdoren paratë tona për të ndrequr dëmet që shkaktohej nga pakujdesitë e të tjerëve’. Dhe Anxhela Merkel s’po bën asgjë që t’i vërë në lëvizje bashkëkombësit e saj.

Duke folur me zyrtarë të lartë në Paris, është e qartë që shqetësimi i tyre më i madh është Gjermania. Pritja e madhe para ceremonisë së çmimit “Karli i Madh” ishte më shumë për përgjigjen e shumëpritur që Gjermania do t’i jepte Makronit, por nuk erdhi asnjë përgjigje. Fjalimi i Merkelit në nder të “Emanuelit të Dashur” nuk kishte përgjigje strategjike, ndaj u duk pak si fyerje.

Një nga virtytet e Makronit, që u pa edhe te fjalimi që mbajti në Kongresin Amerikan, është fakti që ai s’ka frikë t’i artikulojë ndryshimet haptazi. Ka guxim për bindjet e veta. Pasi shpjegoi në Aachen se si Franca (E dashur Anxhela, them se ti e di këtë) po përpiqet të frenojë çmendurinë e shpenzimeve të tepërta, ai i bëri thirrje Gjermanisë të ndalojë edhe çmendurinë e vet për suficite buxheti dhe tregtie. Turma, kryesisht me gjermanë, duartrokiti si për detyrë. Unë i hodha një vështrim të shpejt Merkelit dhe ajo i përplasi duart nja dy herë, ndoshta dy herë e gjysmë.

Larg nga konsensusi që nevojitet para samitit europian të fund-qershorit, tani kanë dalë në sipërfaqe ndryshimet midis Berlinit dhe Parisit. Ndërkohë që presidenti francez do t’i kthejë proteksionizmit të Trumpit një përgjigje të fortë e të bashkuar, nga e gjithë BE-ja, Berlini kërkon kompromise, për atë që një këshilltar i Makronit ma përshkroi si një përpjekje për të mbrojtur eksportet e veta kombëtare. Ndërsa Franca mbështet linjën e fortë që mbahet nga Komisioni Europian kundër humbjes së rendit ligjor në Poloni, Gjermania sërish kërkon kompromis.

Disa nga këto ndryshime mund të vihen në dukje gjatë samitit ndërqeveritar, që të arrihet diçka që të duket si një strategji e përbashkët franko-gjermane në fund të qershorit. Nëse jo, Makroni po luan seriozisht me idenë për të dalë sipër udhëheqësve të tjerë europianë, si mënyrë për të tërhequr votuesit në zgjedhjet europiane të vitit të ardhshëm. Ndryshe nga vështirësitë praktike që sjell beteja zgjedhore në vendet e popujve të tjerë, problemi me këtë ide shumë guximtare është se Makroni, pavarësisht virtyteve të mëdha, ka dhe shumë shenja të tjera prej asaj figure teknokrati elitar, që i sheh të tjerët poshtë vetes, figurë që Europianët e kanë alergji prej kohësh.

Sido që të jetë, ai është udhëheqësi më i mirë europian që ka mbetur. Nëse dështon, atëherë trembem jo vetëm për Francën, por për të gjithë projektin europian. Gjermani, të lutem, mbaje shënim këtë.

*The Guardian