Kryesore Plani për të përçarë Europën po i kthehet Putinit në fytyrë

Plani për të përçarë Europën po i kthehet Putinit në fytyrë

Shpërndaje

Natalie Nougayrède

Detaji më fatkeq për të ishte se një nga agjentët e GRU-së kishte ruajtur një faturë taksie e cila vërtetonte se ai kishte udhëtuar për në aeroport, dhe ishte nisur pikërisht nga një rrugë ngjitur me zyrat e agjencisë së shërbimit informativ ushtarak.

Natalie Nougayrède

Ish-kryeministri rus, Viktor Chernomyrdin, ka thënë shprehjen e famshme: “Synonim më të mirën, por doli si çdo herë tjetër.”

Kur zyrtarët amerikanë, britanikë e holandezë, denoncuan njëzëri veprimet kibernetike të Rusisë, (shënjestrat e të cilëve varionin që nga trupat sportive anti-doping e deri te ekipet ndërkombëtare për vrojtimin e armëve kimike) shprehja e Chernomyrdinit sikur kishte marrë një kuptim të ri.

Sado që Kremlini u përpoq të tregonte hapjen e Rusisë ndaj botës me botërorin e futbollit, lajmet për gabimet trashanike të shërbimeve të tyre “jo dhe aq sekrete” vazhdojnë të vijnë pa pushim. “Bellingcat”, një faqe investigative, botoi emrin e agjentit të dytë të përfshirë në helmimin e Skripalit.

Reagimet e zyrtarëve rusë fillonin që nga denoncimet kundër një “fushate propagande të menaxhuar nga shteti” e deri te akuzat për “histeri perëndimore kundër fuqisë së lartë të spiunazhit kibernetik rus”. Por për një president që krenohet për rendiment të lartë dhe për ta bërë Rusinë të duket e fuqishme, këto ngjarje janë hapa prapa.

Tani po shënjestrohen edhe vendet e vogla europiane që s’kanë ndonjë histori përballjesh gjeopolitike me Rusinë.

Kur ishte adoleshent, në fund-vitet ’60, Putini adhuronte filmat sovjetikë me spiunazh. Pika e tij e fortë në vitet e para të presidencës ishte rendimenti. Një nga arsyet që u bë president ishte se i kishte vërtetuar “familjes Jelcin (siç u quajt në atë kohë) se sa vlente, teksa drejtonte Shërbimet Sekrete (FSB). Agjentët e tij ishin urdhëruar të futnin në kurth prokurorin e përgjithshëm rus, Juri Skuratov, që të mos vazhdonte dot hetimet kundër zyrtarëve të lartë. Shumë shpejt, televizioni shtetëror transmetoi një video që e diskreditonte.

E gjitha kjo për të thënë se konferenca e shtypit ku qeveria holandeze akuzoi shërbimin informativ ushtarak të Rusisë, GRU, se kishte shënjestruar Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, nuk i shkonte për shtat narratives së Putinit për një Rusi të rinovuar.

Detaji më fatkeq për të ishte se një nga agjentët e GRU-së kishte ruajtur një faturë taksie e cila vërtetonte se ai kishte udhëtuar për në aeroport, dhe ishte nisur pikërisht nga një rrugë ngjitur me zyrat e agjencisë së shërbimit informativ ushtarak.

Sado që është për të qeshur, Europa duhet të marrë një mësim të mirë. Ndërhyrjet e vazhdueshme të Kremlinit nuk mund të shihen më thjesht si strategji për të mbajtur ish shtetet sovjetike nën kontrollin e Moskës. Përpjekjet e Rusisë për të prishur punën e institucioneve, tashmë mund të shihen në të gjithë Europën. Pas rënies së komunizmit, banorët e Europës Lindore  kanë nisur të mendojnë se mendësia anti-ruse ka qenë e ushqyer nga histeria perëndimore dhe fiksimi i tyre me neo-imperializmin që zhvillohej në Moskë. Kur Rusia ndërmori një sulm masiv kibernetik kundër Estonisë, në vitin 2007, pak veta mund të gjeje në Paris ose në Londër që të mendonin se sulmet e tyre do të shtriheshin një ditë deri në vendet perëndimore.

Tani që Holanda po ekspozon veprimet e Rusisë, është bërë mëse e qartë që po sulmohen edhe vendet e vogla Europiane që nuk kanë histori tensionesh politike me Rusinë, dhe jo vetëm ato lindoret.

Nuk ka ndonjë histori rivaliteti për pushtet midis Holandës dhe Rusisë. Holanda nuk është një nga vendet europiane që ka vuajtur agresionin rus apo sovjetik ndër vite. As gjatë Luftës së Dytë Botërore, as gjatë komunizmit, e madje as më herët në histori. Ajo që i kthen holandezët në shënjestër është përgjegjësia që kanë marrë përsipër me Oganizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila e ka selinë në Hagë.

Dhe holandezët nuk janë të vetmit. Më herët, gjatë këtij viti, edhe Greqia, e cila ka një kulturë pro-ruse dhe fe ortodokse, nisi të denoncojë Rusinë për ndërhyrje në çështjet e brendshme, pas debatit për emrin e Maqedonisë.

Makroni i Francës ka thënë po ashtu se Rusia po përpiqet të shpërbëjë BE-në, një deklaratë shumë e rëndë që vjen nga udhëheqësi i një vendi që është përpjekur historikisht të ruajë një lidhje të veçantë me Moskën, qoftë dhe vetëm duke iu referuar De Golit. Edhe disa analistë në Berlin kanë ashpërsuar tonin ndaj Rusisë, duke i përqendruar përpjekjet për të mbajtur pranë Europën Qendrore, në vend që të angazhohen me Moskën. Agjentët rusë që u kapën në Hagë ishin në mision kundër një laboratori në Zvicrën neutrale, një vend që nuk është as në NATO-n që poshtëron Rusinë.

Kur vjen puna për të kuptuar qëllimet e Putinit, përçarja e vjetër europiane. midis lindjes dhe perëndimit, bëhet e parëndësishme. Ajo që bie më shumë në sy është ajo që Kremlini po e kultivon me kujdes: simpatia ideologjike që tërheq populistët e ekstremit të djathtë në të gjithë Europën, si në lindje (Viktor Orbani i Hungarisë) e deri në perëndim (Mateo Salvini i Italisë, apo Heinz-Christian Strache i Austrisë).

Gjurmët e përçarjes së gjatë midis lindjes e perëndimit nuk do të zhduken brenda natës. Lindorët që kanë jetuar në “perëndimin e kapur peng”, siç e përshkruante shkrimtari Milan Kundera bllokun sovjetik, kanë kujtime që të tjerët nuk i kanë. Dhe kriza e refugjatëve, në vitin 2015, e bëri edhe më të qartë hendekun midis lindjes dhe perëndimit. Por siç më tha një zyrtar i lartë gjerman këtë javë, veprimet e Rusisë mund të bëjnë që Europa të jetë më e bashkuar, në vend që të përçahet më tej.

Europianët  perëndimorë tani mund të ndihen më të lidhur me Polakët dhe vendet baltike, të cilat kanë kohë që japin paralajmërime për shkeljet e shumta të Rusisë, por që kanë ndier (sidomos para luftës në Ukrainë) që fjalët e tyre po binin në vesh të shurdhër. Si rezultat, spiunët rusë mund të ndihmojnë të ndërtohen më shumë ura midis Europianëve. Dhe ky film me spiunë nuk do të ishte nga ato që pëlqen Putini.

*The Guardian