Kryesore “Planifikimi i takimit të mbretit Zog dhe Geraldinës me presidentin Roosevelt në...

“Planifikimi i takimit të mbretit Zog dhe Geraldinës me presidentin Roosevelt në SHBA”

Nga Aurenc Bebja*, Francë

“Paris-Midi” ka botuar, të premten e 29 prillit 1938, në ballinë, një shkrim në lidhje me qëllimet e Mbretit Zog dhe Mbretëreshës Geraldinë për të vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë së shpejti do të nisen për në Shtetet e Bashkuara

Durrës, 29 Prill.

Mbreti Zog I dhe Mbretëresha Geraldinë kaluan ditën e parë të muajit të mjaltit në rezidencën verore të Durrësit, e cila mbikëqyr qytetin e vogël dhe ka pamjen mbi detin Adriatik.

Por tashmë thuhet se qëndrimi i çiftit të ri mbretëror do të jetë i shkurtër në Durrës dhe se mbreti Zog dhe gruaja e tij po planifikojnë shumë shpejt një udhëtim në Shtetet e Bashkuara.

Mbretëresha, edhe pse nëna e saj është me origjinë amerikane, kurrë nuk ka qenë në Shtetet e Bashkuara. Ajo dëshiron shumë të vizitojë këtë vend.

Nga ana tjetër, Mbreti Zog, i cili është një admirues i madh i Z. Roosevelt, pret me padurim të takohet me Presidentin e Shteteve të Bashkuara. Është një projekt që ai e ka përkëdhelur prej kohësh, por që nuk ka qenë në gjendje t’a realizojë deri më tani për arsye të angazhimeve të tij.

Ai dëshiron të përfitojë nga “pushimet” e tij për të vizituar vendin për të cilin i kanë folur kaq shumë tri motrat e tij, princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, dhe gjithashtu për të falënderuar Kryqin e Kuq Amerikan dhe Fondacionin Rockefeller për punën humanitare që ata kanë realizuar në Shqipëri.

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania