Sport “Plas” tek United, Cristiano Ronaldo tërbohet pas zëvendësimit

“Plas” tek United, Cristiano Ronaldo tërbohet pas zëvendësimit

Manchester United fitoi 1-3 përballë Brentford, duke u rikthyer te suksesi në kampionat pas dy javësh pa pikë të plota. Katër golat e ndeshjes u realizuan në fraksionin e dytë të sfidës, dhe tani “Djajtë e Kuq” renditen në vend të gjashtë me 35 pikë, dy më pak se West Ham i vendit të katërt.

Cristiano Ronaldo luajti si titullar, por Ralf Rangnick e zëvendësoi në minutën e 71-të me Harry Maguire. Ylli portugez nuk e priti mirë vendimin e trajnerit gjerman, të cilit iu drejtua me këto fjalë në momentin që doli nga fusha: “Përse më zëvendësove?!”

Pasi e përqafoi Rangnick, CR7 hodhi në tokë xhupin e tij dhe i kërkoi llogari trajnerit. Ky i fundit iu afrua sulmuesit për t’i shpjeguar vendimin e tij, teksa deklaroi këto fjalë pas ndeshjes:

“I thashë: e kuptoj që je ende ambicioz dhe dëshiron të shënosh, por ndoshta pas disa vitesh, kur të jesh trajner, mund të marrësh një vendim të ngjashëm kur të gjendesh në të njëjtën situatë si unë.

Ia bëra të qartë se mora vendimin në interes të skuadrës. Kundër Aston Villa po kryesonim 0-2 pesë ditë më parë, por ata na barazuan. Nuk doja të ndodhte përsëri ashtu, mendoj se mora vendimin më të mirë”, deklaroi Rangnick.