Aktualitet “Po flisja me shokun nga Anglia në Facebook, kur ariu erdhi e...

“Po flisja me shokun nga Anglia në Facebook, kur ariu erdhi e mu hodh sipër”! Bariu tregon si shpëtoi nga sulmi

Ekrem Onuzi i shpëtoi për një fije vdekjes pasi u sulmua nga një ari në malin e Gjallicës ndërkohë që kishte dalë për të kullotur bagëtitë.

Kafsha e sulmoi papritur duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në kokë, kofshë dhe duar, me të cilat është mbrojtur.

“Unë kam 35 vite që kullos bagëtitë dhe has arinj, por kësaj radhe nuk e mora vesh se përse erdhi dhe ma vuri putrën në gjoks”, i tha Ekrem Onuzi, gazetares së “Abc News”, Ajgena Korbi.

“Një moment dola pak sipër stanit tim dhe ndejta atje për një orë. Dëgjova qentë që po lehnin, por nuk i vura re pasi po flisja me një shokun tim në Angli në Facebook. I thashë që një moment se po më sulmon ariun qentë, por ai s’po më besonte”, tha Onuzi duke theksuar se ishte ndërhyrja e qenve ajo që e shpëtoi nga kthetrat e kafshës.

“Një moment e pashë që më është sulur dhe më ka hedhur tre katër metra poshtë. Pastaj erdhën qentë dhe e larguan”, tregon ai për “Abc News”, ndërsa shpreh shqetësimin se helikopteri u vonua për të shkuar deri tek ai.

Bariu u mor me helikopter nga bjeshkët e Gjallicës duke u sjellë me urgjencë në Spitalin e Traumës ku edhe po trajtohet.