Politika “Po-ja” e negociatave, Meta: Asnjë minutë nuk duhet humbur. Basha: Tani gjithçka...

“Po-ja” e negociatave, Meta: Asnjë minutë nuk duhet humbur. Basha: Tani gjithçka është në dorën tonë

Pas lajmit të mirë për çeljen e negociatave, kreu i shtetit Ilir Meta, me anë të një postimi në rrjete sociale bën thirrje që të mos humbasim asnjë minutë për të zbatuar sa më parë secilin prej kushteve që i paraprijnë konferencës ndërqeveritare për nisjen e negocimit të kapitujve.

Një vendim që u mor në momente të vështira për shkak se bota po lufton me pandeminë nga koronavirusi, Meta e përshëndet këtë vendim të Këshillit të Ministrave të BE.

“Përshëndes vendimin e sotëm politik të Këshillit të Ministrave të BE që konfirmoi qartë perspektivën europiane të Shqipërisë duke miratuar çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Falenderoj të gjitha shtetet anëtare për këtë vendim inkurajues, që gjeti vend në axhendën europiane, pavarësisht momenteve shumë të vështira që po kalojmë çdo njëri prej nesh!

Asnjë minutë nuk duhet humbur për të zbatuar sa më parë secilin prej kushteve që i paraprijnë konferencës ndërqeveritare për nisjen e negocimit të kapitujve! 🇦🇱🤝🇪🇺” shkruan Presidenti.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pasi Këshilli i ministrave të BE-së për Çështjet Evropiane dha sot Po-në për çeljen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Përmes një postimi në Twitter, krahas mesazhit të komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, Basha shkroi: “Vendet anëtare të BE-së dëshmuan sot se e mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët me shprehjen e vullnetit për të hapur negociatat. Tani gjithçka është në dorën tonë për të përmbushur të gjithë kushtet e vendosura për nisjen e tyre.”