Aktualitet Po lirohen “të fortët” e ’97-ës, emrat që kanë lënë qelitë dhe...

Po lirohen “të fortët” e ’97-ës, emrat që kanë lënë qelitë dhe historitë e tyre

A rrezikon Shqipëria përplasje të tjera nga grupet kriminale? Kjo është pyetja që të shkon ndërmend kur dëgjon teksa të “fortët” e vitit të mbrapshtë 1997, po lirohen nga burgu. Nehat Kulla, Lul Caka, Gert Gjinerari, Elidon Kotorri, janë vetëm 4 emra që janë liruar muajt e fundit nga burgjet shqiptare. Të dënuar për vrasje, masakra, plagosje, armëmbajtje pa leje etj, ‘të fortët’ e ’97-ës, ia kanë dalë që të mundin sistemin e drejtësisë, duke marrë dënime deri në 25 vite burg.

Më pas ata kanë përfituar nga amnistitë ose lehtësirat e ligjit, për të përfituar lirimin para përfundimit të dënimit. Sot të lirë janë i “tmerrshmi” i Beratit, Lul Caka, njëri nga anëtarët e bandave kryesore në Tiranë, Gert Gjinerari. I lirë është edhe “Gjenerali” Nehat Kulla, që sfidoi hapur shtetin në vitin 1997. Po kështu edhe autori i masakrës te “Vasil Shanto”, Elidon Kotorri, ka përfituar lirinë.

Në skenë kanë dalë grupe të reja kriminale në vend, që zotërojnë trafikun e drogës, japin urdhrat për vrasje, vendosin gjoba dhe kërcënojnë këdo që u del para, por nuk duhen harruar ata, të cilët shpikën modelin e ‘të fortëve’ në Shqipëri, krerët e bandave të ‘97-ës, ku një pjesë e tyre janë të lirë, ndërsa të tjerë pritet që të lënë qelitë në muajt e ardhshëm. Po kush janë disa nga të “fortët” e 97’ që janë liruar muajt e fundit?

Elidon Kotorri

Elidon Kotorri u lirua vetëm 4 ditë më parë. Ai akuzohet për krimin e trefishtë që ndodhi më 11 janar 2000, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe që kishte në shënjestër viktimën Andi Hasani. Përveç tij në këtë atentat u vranë edhe dy të tjerë, Gazmend Zeneli dhe Sokol Alushi, si dhe mbeti i plagosur Grigor Stefani.

Siç rezultoi gjatë gjykimit, Andi Hasani kishte qenë edhe një herë tjetër shënjestra e një breshërie me armë, nga të cilat ai vetëm u plagos, bashkë me dy të tjerë, por u vranë Sentiljan Elezi dhe Fatmir Hodaj. Ky atentat i dështuar ndodhi më 23 dhjetor 1999, në Tiranën e asaj kohe, ku ishin krijuar disa grupe që kishin nisur asgjësimin e kundërshtarëve. Por për këtë ngjarje, për të cilën dyshohej Kotorri, prokuroria u tërhoq më vonë.

Nehat Kulla

Nehat Kulla u lirua rreth 1 muaj më parë. Kulla drejtoi një ndër bandat më famëkeqe në Tiranë dhe në Shqipëri në vitin e mbrapshtë 1997. Ai ka shlyer në burgun e Fushë Krujës dënimin 20-vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.

Nehat Kulla, së bashku me familjarë e miq të tij, mbajti të paprekur repartin e “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajti repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetes edhe nofkën ‘Gjenerali’, emër me të cilin e njihnin të gjithë banorët e zonës, për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.

Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie. Ai mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën në atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri, i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte armën nga dora.

Lul Caka

Caka ka drejtuar një grup kriminal në Berat, ndërsa krimet e tij datojnë nga vitit 1995, ku dyshohet se ka kryer vrasjen e parë për të vijuar deri në vitin 1997. Nisur nga lidhjet e krijuara, Lul Caka në vitin 1997 u bë tmerri i udhëtarëve në rrugët nacionale Berat-Fier dhe Berat–Lushnjë. Arrestohet në Itali më 24 dhjetor 2001 dhe ekstradohet në vitin 2003, për të vuajtur dënimin 25 vjet burg për vrasje.

Pas 16 vite prapa qelive që pas viti 2003, Caka i ka shlyer vitet e burgut. Ai akuzohet për një ngjarje në të cilën thuhet se sulmoi postbllokun e policisë duke tentuar të vrasë dy zyrtarë të lartë policie, Gani Malushin dhe Ilir Ngresin. Të dy ata janë vrarë në ngjarje të tjera. Njëri u ekzekutua nga miku i Lul Cakës, Kastriot Jaupaj dhe tjetri u vra në Durrës.

Ndaj Lulzim Cakës rëndojnë një sërë ngjarjesh të frikshme, të cilat krijuan mitin e një vrasësi gjakftohtë, por edhe hakmarrës. Ngjarja më e tmerrshme është ajo e nënës së tij Xhevrie Caka, pasi ajo kishte shkuar për të takuar të birin që ndodhej i arrestuar në Fier. Gruaja u rrëmbye në derën e komisariatit të policisë në vitin 1999, dhe u gjet e masakruar në pyllin e Semanit.

Lulzim Caka u betua për hakmarrje. Ai u arratis nga burgu dhe në mes të fshatit Samaticë vrau dy nga autorët e vrasjes së nënës së tij, Valter Bega dhe Mariglen Cami.

Ndërkohë, në burg po vuajnë dënimin me 75 vite në total tre vrasësit e tjerët të nënës së të tmerrshmit të Beratit. Kundërshtarët e Lulzim Cakës janë Fatmir Emini i njohur ndryshe si Mile Çami, të cilit Lul Caka i ka vrarë të vëllain, një krim që solli më pas për gjakmarrje masakrimin e të moshuarës. Në burg për këtë krim janë edhe dy vëllezërit Artan dhe Bledar Yzeiri, të dënuar përkatësisht me nga 25 vite burgim secili.

Gert Gjinerari

Gjinerari, bashkë me Arben Grorin, vranë në Itali 22 vite më parë, Naim Zyberin dhe për këtë u dënua nga gjykatat. Por ende nuk dihen detajet e lirimit të Gerd Gjinararit.

Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjinerari.

Naim Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të rrugës ‘Bardhyl’.

Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës. Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos.

Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen. Më datë 6 gusht, Gerd Gjinarari, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën, dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje. Por shumë shpejt arrestohen nga policia italiane.