Aktualitet  “Po më afrohet dhe mua”, Çani homazh për ish-deputetin Marko Bello

 “Po më afrohet dhe mua”, Çani homazh për ish-deputetin Marko Bello

I mërzitur u shpreh Arian Çani gjatë emisionit të sotëm për ndarjen nga jeta të ish-deputetit socialist Marko Bello prej koronavirusit. Madje gazetari i njohur në shenjë homazhi vendosi një intervistë që ka zhvilluar me ish-ministrin e ndjerë 11 vite më përpara në “Zonë e Lirë”. Edhe javën e kaluar, Çani u shpreh i trishtuar për ndarjen nga jeta për shkak të Covid të një miku të tij.

“Ne po buzëqeshim këtu, por ndërkohë njerëz po vdesin dhe njerëz që i njohim. Sigurisht për të qenë i sinqertë deri në fund nuk na vjen keq për të gjithë njerëzit që vdesin sepse shumicën nuk i njohim, por kur na vdesin njerëz që i njohim dhe që i kemi njohur nga afër, atëherë të them të drejtën bëhemi keq. Unë javën e kaluar unë u mërzita shumë sepse më vdiq një njeriu im shumë i afërt, një mik mbi të gjitha, edhe pse e shija më rrallë, Arjan Uçi. Dukej çun i ri komplet. Vdiq i shkreti. Kishte një sëmundje, e kaloi atë, por e palosi Covid-i dhe iku në atë botë në moshën 60 vjeç. Më la pa fjalë dhe më la pa frymë Curi. Ndërkohë s’kalon një javë, hap televizorin në mëngjes dhe shoh, mos thashë mos. Tjetri 59 vjeç. Me siguri e keni marr vesh, Marko Bello, nga socialistët më të ndershëm, ministër, deputet, një personazh i paparë që unë sot dua të mbaj disa çaste heshtje por jo duke mbajtur këtë heshtjen tradicionale që rri pa folur, por thjesht për të kujtuar që në 2009 ai ka qenë në emisionin tim. Që i bie 11 vjet më përpara. E di si u bëra, u bëra keq. Unë dilja vrapoja në Himarë, ai bënte ecje, kur e pashë sot… Asnjë sëmundje, iku në Turqi nuk e përballoi dot. Thashë me vete, po më afrohet mua, por duhet përballuar me gëzim dhe vdekja. I paharruar qoftë kujtimi i Markos, mikut tonë të vjetër i cili nuk është më. I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së tij”, tha Çani.

Marko Bello, ish-deputet i Partisë Socialiste është ndarë këtë të premte nga jeta për shkak të COVID. Bello me një karrierë të gjatë në politikë dhe diplomaci nuk ka mundur të fitojë betejën me koronavirusin. Ai humbi jetën në moshën 59-vjeçare në një spital në Turqi, aty ku dhe po merrte trajtim të specializuar për virusin.

Marko Bello ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nga viti 2001-2013. Ai gjithashtu ka mbajtur postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar.

Në vitet 1997-2000, Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zëvendës ministër i Mbrojtjes.