Aktualitet Po trafikonte 30-vjeçaren në Itali, arrestohet në Rinas tutori

Po trafikonte 30-vjeçaren në Itali, arrestohet në Rinas tutori

RINAS – Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të femrave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Operacioni policor i koduar “RETURN”, vuri në pranga një person, ndërsa janë shpallur në kërkim tre të tjerë.

Gjatë intervistimit të një 30-vjeçareje nga Fieri, policia ka dyshuar në thëniet e saj për qëllimin e lëvizjes drejt Italisë dhe menjëherë kanë bërë bllokimin e saj duke njoftuar Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Në prangat e policisë në flagrancë ka rënë E.Ç, 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili po shoqëronet 30-vjeçaren drejt Italisë. Ata kishin mbërritur në aeroportin e Rinasit nga ku do të udhëtonin me avion drejt Italisë, ku më pas gruaja nga Fieri do të shfrytëzohej për prostitucion.

“Si rezulat i hetimeve të shpejta u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i këtij rasti kriminal, si dhe kapja e arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., i cili do shoqëronte 30-vjeçaren drejt Italisë. Shtetasi E. Ç., në momentin që ka parë bllokimin e 30-vjeçares ka tentuar të largohet nga aeroporti, por është kapur nga shërbimet e Policisë.

Po në vijim të veprimeve të para hetimore është bërë shpallja në kërkim e tre shtetasve A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi i arrestuar në bashkëpunim me shtetasit A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., nëpërmjet përdorimit të dhunës kishin detyruar 30-vjeçaren që ajo të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali dhe këta shtetas mbrëmjen e djeshme kishin organizuar trafikimin e saj nëpërmjet aeroporit të Rinasit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale të “Trafikim i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.