Sport Pochettino tregon bisedat për blerjen e Messit dhe çdo të ndodhë me...

Pochettino tregon bisedat për blerjen e Messit dhe çdo të ndodhë me Mbappenë

Merkato e PSG-së është vendosur në vëmendjen e të gjithëve, pasi parizienët kanë krijuar një organikë të frikshme, por ka dhe nga ata të cilët i kritikojnë për shpenzimet e kryera apo transferimet e bëra. Lidhur me këtë çështje është ndalur të flasë edhe tekniku aktual i skuadrës, Pochettino, i cili del në mbrojtje klubit, duke deklaruar se pavarësisht zërave, skuadra është përforcuar me lojtarë cilësorë, por pjesa më e madhe e tyre me parametër zero.

“Të gjithë flasin pa ditur asgjë. Ne morëm lojtarë të klasit botërorë, por pa asnjë kosto, sepse pjesa më e madhe e tyre erdhën me parametër zero. Ne nuk kemi bërë dhe nuk po bëjmë asgjë kundër rregullave,” – ishin fjalët e para të Mauricios, i cili më pas shpjegoi edhe momentin e bisedës mes tij dhe Leonardos, për të sjellë Messin në Paris.

“Leondardo më thërriti për të diskutuar diçka, nuk e dija se për çfarë bëhej fjalë. Ai më pyeti nëse e doja Messin dhe unë vetëm e pashë, duke i thënë: A është e mundur kjo, mos është gjë shaka? Gjërat më pas ndodhën shumë shpejt dhe Messi zbarkoi në Paris. Ishte diçka fantastike.”

Në lidhje me situatën e Mbappesë, i cili ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar, tekniku argjentinas u shpreh: “Situata është e hapur, askush nuk e parashikon të ardhmen. Unë jam i bindur se klubi po punon për t’i ofruar lojtarit kushtet më të mira për të qëndruar këtu dhe për të vijuar me projektin tonë. Pavarësisht të gjithave, unë kurrë nuk e kam vënë në diskutim profesionalizmin e tij dhe, nëse është data 30 apo 10 qershor, unë jam i bindur se Kylian do të japë 200% e tij në ndihmë të skuadrës dhe shokëve të tij, pasi ai ka po atë rëndësi sa Messi apo Ronaldo”.