Bota Polemika në Tajlandë, mbreti në pushime me 20 konkubina në një hotel...

Polemika në Tajlandë, mbreti në pushime me 20 konkubina në një hotel luksoz në Gjermani

Në kohën kur e gjithë bota është ndalur për shkak të emergjencës së koronavirusit, mbreti i Tajlandës po kalon disa ditë pushimi në një hotel luksoz në Bavari, bashkë me 20 konkubina.

Hoteli i mbyllur për publikun, u hap vetëm për të akomoduar mbretin Maha Vajiralongkorn, i njohur gjithashtu si Rama X.

Për një fakt të tillë, raportoi revista Bild online, e cila denoncoi se të njëjtat rregulla, të njëjtat masa kufizuese nuk zbatohen kur bëhet fjalë për sundimtarin e Tajlandës, ndërsa nga ana tjetër, të gjithë gjermanët, si dhe shumë qytetarë të tjerë europianë dhe jo vetëm, u kërkohet të vetizolohen gjatë kësaj periudhe ku virusi po shkakton vdekjen e mijëra njerëzve në të gjithë botën.

Hoteli luksoz në fjalë, “Sonnenbichl” ndodhet në Garmisch Patenkirchen, një vendpushim bavarez skish dhe ka qenë si shumica e bizneseve në Gjermani, objekt i mbylljes nga qeveria në kontekstin e masave për të luftuar koronavirusin.

Mirëpo, drejtuesit e hotelit, kanë vendosur për t’i garantuar qëndrimin mbretit 67-vjeçar, pasi të ftuarit e tij i përkasin një grupi homogjen, mes të cilëve nuk ka përzierje.

119 punonjës u rikthyen në Bangkok, por 20 konkubinat e tij u lejuan të qëndronin në hotel për kënaqësi të mbretit.