Aktualitet Policia: 4 të plagosur nga shpërthimi në zonën e ish-Bllokut

Policia: 4 të plagosur nga shpërthimi në zonën e ish-Bllokut

Banorët e kryeqytetit janë tronditur nga një shpërthim i fuqishëm mesditën e kësaj të hëne. Një bombol gazi shpërtheu në një dyqan eventesh, që ndodhet në rrugën “Vaso Pasha”, në zonën e ish-Bllokut.
Sipas policisë nga ngjarja kanë mbetur të plagosur 4 persona, të cilët janë transportuar drejt spitalit.

“Rreth orës 13:15 në rrugën “Vaso Pasha” në ambientet e një dyqani eventesh ka shpërthyer një bombul gazi. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar shtetasit S. P dhe A. P, E. N dhe D.S të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Tiranës në një njoftim paraprak për mediat.
Si pasojë e shpërthimit dëmet janë të shumta, ndërsa shtëllungat e tymit mbuluan pallatin që ndodhej sipër.

Forca të shumta policore, me të shkuar në vendngjarje rrethuan zonën, ndërsa shërbimet e zjarrfikëses vunë nën kontroll flakët.