Aktualitet Policia dhunon gazetarët pasi dështoi të arrestojë të dyshuarin për drogë

Policia dhunon gazetarët pasi dështoi të arrestojë të dyshuarin për drogë

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pasi policia e shtetit ndaloi me dhunë gazetarin Ergys Gjençaj dhe shtyu kolegen e tij Klodiana Lala, pasi këto të fundit u gjetën në vendin e ngjarjes dhe filmuan dështimin e tre oficerëve në arrestimin e një të dyshuari për trafik droge.

Nga Gjergj Erebara/ BIRN

Policia shqiptare dhunoi dy gazetarë mesditën e së martës pasi dështoi në mënyrë spektakolare të ndalonte një të dyshuar për drogë në kryeqytet – në një episod të xhiruar nga dëshmitarë të rastit.

Pasi nuk arritën të ndalonin të dyshuarin që u largua me një automjet Benz Mercedez me xhama të errët, oficerët e policisë e shfrynë frustrimin e tyre duke dhunuar dy gazetarët e gjetur në vendngjarje rastësisht.

Pasi shtrinë përtokë gazetarin Ergys Gjençaj, policët i sekuestrojnë atij celularin. Ato gjithashtu shfaqen duke shtyrë gazetaren Klodiana Lala, ndërsa kjo e fundit po protestonte ndaj keqtrajtimit të kolegut.

Gjençaj i tha BIRN se policia e mbajti të shtrirë përtokë për shumë minuta me rradhë dhe se njëri prej oficerëve i kishte kontrolluar xhepat.

“Kam njëzet vjet punë si gazetar dhe nuk më ka ndodhur kurrë diçka e tillë,” tha Gjenccaj.

Gazetarja Klodiana Lala i tha BIRN se ata ishin gjendur në vendngjarje rastësisht ndërsa po shkonin në redaksi dhe ishin qartësisht të indetifikueshëm si gazetarë.

“Unë i thashë policëve se personi që kishin ndaluar është gazetar dhe automjeti me të cilin ne udhëtonim ishte me logo nga të gjitha anët,” tha Lala.

Pyetur nga BIRN, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se “do të urdhëroj menjëherë SHÇBA të hetojë ngjarjen.”

Edhe Prokuroria Tiranës tha nëpërmjet një deklarate se kishte nisur hetimet sëbashku më SHÇBA për dhunimin e gazetarëve.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bashkëpunim me SHÇBA janë duke kryer verifikime të thelluara në lidhje me incidentin,” tha organi akuzës në një njoftim për shtyp.

“Grupi hetimor po heton rastin mbi veprimet e kryera nga punonjësit e policisë për të përcaktuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre,” shtoi prokuroria.

SHÇBA, Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa, është zyra e policisë që heton abuzimet e mundshme nga forcat e policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment deri në publikimin e këtij lajmi.

Në një deklaratë për shtyp Këshilli Shqiptar i Medias dënoi dhunën ndaj gazetarëve duke theksuar se ky nuk është rast i veçuar.

“Është e paimagjinueshme për një vend që synon të integrohet në BE, që gazetarët të trajtohen në mënyrë brutale thjesht sepse po raportojnë nga vendngjarja – çka është dhe misioni e detyra e tyre,” tha KSHM.

“Shqetësimi bëhet edhe më i madh, kur shihet se ky incident nuk mund të konsiderohet i veçuar por është tashmë një frymë e Policisë së Shtetit, që në pamundësi që t’i përgjigjen krimit, e orientojnë dhunën drejt gazetarëve që raportojnë,” shtoi KSHM.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideroi ngjarjen “një incident i rëndë” dhe “arrogancë policore”.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon ashpër këtë akt dhunues dhe brutalitetin policor të demonstruar ndaj reporterit dhe kërkon vënien para përgjegjësisë së punonjësve me uniformë policie, të cilët janë aktorë të kësaj dhune dhe arrogance mbi gazetarin në detyrë,” shkruhet në deklaratë.

Një video e publikuar nga TV News 24 shfaq dy oficerë civilë dhe një polic me uniformë që ndalojnë një makinë dhe i kërkojnë që të hapë derën. I dyshuari brenda makinës refuzon të hapë derën ndërsa në vendngjarje shfaqet makina me logo të News 24 nga ku dalin gazetarët Ergys Gjençaj dhe Klodiana Lala.

Gjençaj nxjerr celularin për të xhiruar ngjarjen, ndërsa shoferi i automjetit injoron thirrjet e policisë dhe ikën nga vendngjarja.

Të njëjtët policë që dështuan të ndalojnë të dyshuarin, në vend që ta ndjekin atë, i drejtohen gazetarit Ergys Gjencaj duke i rrëmbyer celularin dhe duke e shtrirë përtokë dhunshëm. Ndërsa gazetarja Klodiana Lala proteston ndaj keqtrajtimit të Gjençaj, një person i veshur civil e shtyn atë tutje.

Dhuna e policisë ndaj gazetarëve nuk është fenomen i ri por ngjarja në fjalë duket se përbën një rekord të ri negativ ndërsa rastet e dhunimeve në të shkuarën duket se kanë mbetur pa u ndëshkuar.

Në vitin 2019, policia e Dibrës dhunoi gazetarin Enver Doçi, i gjendur gjithashtu në vendngjarje. Policia e Shtetit pranoi incidentin dhe shprehu keqardhje por organizatat ndërkombëtare vunë në dukje mungesën e hetimeve dhe ndëshkimeve të policëve përgjegjës të sulmit.

Në dhjetor të vitit të kaluar policia ndaloi dhe kërcënoi disa gazetarë ndërsa këta të fundit po raportonin nga protestat e dhunshme të të rinjve që u shkaktuan nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një oficer policie.

Gazetarët Xhoi Malësia dhe Qamil Xhani u ndaluan ndërsa ishin duke raportuar. Edhe në këtë rast nuk pati hetime dhe masa ndëshkuese për gazetarët dhunues ndërsa thirrjet e organizatave të shoqërisë civile për Edi Ramën dhe Ardi Veliun për të dënuar dhunimin e gazetarëve ranë në vesh të shurdhët.