Bota Policia gjen kopjen 500-vjeçare të pikturës më të shtrenjtë në botë, arrestohet...

Policia gjen kopjen 500-vjeçare të pikturës më të shtrenjtë në botë, arrestohet grabitësi

Një pikturë e shekullit XVI, kopje e pikturës më të shtrenjtë në botë, “Salvador Mundi” e Leonardo Da Vinci-t, u gjet nga policët në një apartament në Napoli. Ajo ishte vjedhur nga një muze në të njëjtin qytet.

Vepra e artit, që me shumë gjasa duhet të jetë realizuar nga ndonjë prej nxënësve të mjeshtrit të Rilindjes, u zbulua gjatë një operacioni kërkimi, ndërsa pronari i apartamentit ku u gjet piktura, një 36-vjeçar, u arrestua nga policia italiane.

Piktura është një kopje e portretizimit të famshëm të Jezu Krishtit, realizuar nga Da Vinci. Gjatë jetë së tij u realizuan shumë kopje të kësaj vepre nga ndihmësit dhe nxënësit e piktorit.

Edhe pse nuk dihet saktësisht se kush ishte autor i kësaj kopjeje, mendohet që ajo të jetë realizuar në vitin 1510. Besohet se piktura është realizuar në Romë, para se të dërgohej nga Napoli nga Giovanni Antonio Muscettola, i dërguar i posaçëm i Perandorit të Shenjtë Romak, Karli V.

Vlera e kopjes nuk është bërë e ditur, por origjinali u shit në vitin 2017 në ankand për mbi 450 milionë dollarë, duke e bërë pikturën më të shtrenjtë të historisë.